E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mijëra vetë protestojnë në Moskë

Opozita akuzon Kremlinin për falsifikime të zgjedhjeve dhe bën thirrje për zgjedhje të reja. Qindra persona të arrestuar nga policia, ndërsa shënohet protesta më e madhe antiqeveritare në 10 vitet e fundit

Dhjetëra mijëra kundërshtarë të qeverisë demonstrojnë në Moskë kundër falsifikimit të zgjedhjeve dhe kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare. Kjo është protesta më e madhe kundër Kremlinit që prej viteve ‘90.

Në demonstratën më të madhe të zhvilluar në Moskë që prej 10 vitesh, morën pjesë ditën e shtunë më shumë se 50 mijë vetë që protestojnë kundër falsifikimit të zgjedhjeve parlamentare. Rreth 40 mijë vetë u mblodhën të shtunën pasdite në sheshin ‘Bolotnaja’ në afërsi të Kremlinit, bëri të ditur agjencia e lajmeve Interfax, e cila u referohej organizatorëve. Pas fillimit të manifestimit, mijëra të tjerë u derdhën në vendin e takimit. Policia foli për 25 mijë demonstrues.

Protestat e së shtunës nisën në lindje të Rusisë dhe në Siberi. Në qytetin Vladivostok, opozitarët u mblodhën në zonën e portit. Edhe në Shën Petërsburg njerëzit dolën në rrugë. Policia speciale OMON i shpërndau demonstruesit sepse nuk kishin marrë lejen e grumbullimit. Policët futën dhjetëra opozitarë në autobusët që ndodheshin në pritje. Edhe në Perm, në Urale dhe në Çabarovsk, në Lindjen e largët u bënë njoftime për shumë të arrestuar. Gjatë protestave të zhvilluara pas zgjedhjeve janë arrestuar gjithsej 1600 persona.

Në Moskë, demonstrata e kundërshtarëve të Putinit u zhvillua pa incidente. Të gjitha grupet e moshës dhe shtresave ishin të përfaqësuara në demonstratë, raporton një reporter i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA. Shumë pjesëmarrës kishin lidhur kordele të bardha në krahë dhe mbanin në duar lule të bardha. Në pankarta, ata kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Vladimir Putin dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, si dhe të ish- menaxherit të naftës, Michail Chodorkovski.

Krah flamurit të kuq të komunistëve dhe flamurit imperial trengjyrësh zi-kuq-bardhë, u panë edhe shumë flamuj ngjyrë portokalli të Lëvizjes Solidarnost, kritike e regjimit. "Rusia pa Putinin" dhe "turp", bënë thirrje ata që mbajtën fjalime. Edhe ultranacionalistët morën pjesë në protesta. Opozita akuzon Kremlinin për falsifikim të zgjedhjeve. Thirrjet për zgjedhje të reja janë të forta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›