E Diel, 1 Nëntor 2026

Mikalef: Opozita të heqë dorë nga bojkoti

03/11/2009  Faktori ndërkombëtar i tërheq sërish vëmendjen e lidershipit socialit

“Demokracia nuk është të bojkotosh atë që është proces demokratik

Faktori ndërkombëtar i tërheq sërish vëmendjen lidershipit socialist sa i takon vendimit të PS-së për të bojkotuar tani jo vetëm Kuvendin, por dhe zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Ka qenë Këshilli i Europës që i bëri thirrje kësaj partie të mos e bojkotojë një proces të tillë. Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në KE, Ian Mikalef, i kërkoi opozitës të përfshihet në proces dhe në rast parregullsish t’i drejtohet gjykatës. Një qëndrim të tillë zyrtari i lartë i Këshillit të Europës i bëri të ditur pas takimeve të veçanta që zhvilloi gjatë ditës së djeshme me kryetarin e bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kreu i opozitës Edi Rama, me presidentin Bamir Topi si dhe me kryeministrin Sali Berisha.

Mesazhi

“Mendoj se demokracia nuk është të bojkotosh atë që është proces demokratik. Gjëja e duhur në demokraci është dialogu. Siç e kam thënë edhe më parë, unë i inkurajoj partitë politike të hyjnë në dialog, por nuk është pritur për mirë. Nëse ka ndonjë bojkot të ndonjë procesi demokratik, ne kemi rënë dakord me qeverinë se do të ftohemi si kongres për të monitoruar zgjedhjet e ardhshme, jo sepse kemi ndonjë dyshim për procesin politik në këtë vend, por sepse duam të jemi këtu për të parë mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve”, - u shpreh Presidenti i Kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale në KE, Ian Mikalef. Njëkohësisht zyrtari i lartë i KE-së, duke vijuar po në të njëjtën linjë, theksoi se, “kur e krahasojmë Shqipërinë me vende të tjera europiane, vëmë re se është bërë shumë për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe listat e votuesve, në kuptimin se sot kemi mjete elektronike dhe Shqipëria është një nga vendet që ka arritje të mëdha në një kohë kaq të shkurtër në drejtim të identifikimit të votuesve”. Ndërkohë ai i mëshoi me forcë apelit për opozitën. “Sërish mesazhi im është që zgjedhjet të mos bojkotohen. Nëse ka diçka që nuk shkon me zgjedhjet, opozita ka të drejtën dhe ne do të shohim nëse kjo e drejtë ekziston që ata të shkojnë në gjykatë dhe ta lënë atë të vendosë, sepse në një vend demokratik duhet të ushtrohet ligji dhe për Këshillin e Europës ushtrimi i ligjit është një princip themelor, një vlerë themelore”, - vuri në dukje Mikalef.

Axhenda

Gjatë vizitës së tij në Tiranën zyrtare zyrtari i lartë i KE-së zhvilloi takime dhe me drejtuesit e lartë të shtetit, ku gjatë bisedës me Presidentin Topi vuri në dukje sukseset dhe transformimet pozitive të shënuara në vendin tonë, duke theksuar edhe nevojën e dialogut dhe bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Presidenti i përkohshëm të Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Evropës vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Kryetarit të Shtetit për sa i përket zhvillimit demokratik dhe konsolidimit të institucioneve shqiptare, duke ruajtur ekuilibrin mes forcave politike dhe duke shërbyer si garant i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Ndërkohë gjatë takimit me kryeministrin Berisha Mikalef u shpreh se “jam shumë i lumtur që ndodhem këtu dhe të konstatoj një zhvillim të jashtëzakonshëm që është bërë në forcimin e autonomisë së pushtetit lokal dhe në përmbushjen nga ana e qeverisë të kritereve të Kartës Europiane për Vetqeverisjen Vendore. Kam konstatuar me kënaqësi zhvillime të jashtëzakonshme pozitive”. Sipas tij, Shqipëria është një vend shembull, ku qeveria ka bërë përpjekje dhe ka arritur rezultate për sa i përket forcimit të decentralizimit, plotësimit të kritereve të Kartës dhe mbështetjen që u është ofruar pushteteve lokale dhe rajonale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›