E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mikel: Më ndihmoni ta gjej babanë

Nga Express më 17 gusht 2011 në ora 08:36

John Obi Mikel është i tronditur dhe i shkatërruar, pasi kuptoi se babai i tij është kidnapuar në Nigeri. Mesfushori i Chelseas kërkon nga autoritetet e vendit që ta ndihmojnë që ta gjejë babanë e tij

Michael Obi, i cili udhëheq një kompani transportuese ndërshtetërore në Jos, është zhdukur të premten. Përpjekjet e ndryshme për të kontaktuar me të nuk kanë sjellë rezultate pasi celulari i tij nuk ka qasje nga e shtuna.

“Unë jam nigerian dhe gjithmonë e kam ndihmuar vendin tim në çdo mënyrë të mundshme. Tash ata duhet të më ndihmojnë mua, të më ndihmojnë ta gjej babanë. Familja ime është e shkatërruar, po ashtu edhe unë. Dëshiroj të kthehem në Nigeri, por tash nuk mundem. Nëna ime është e frikësuar. Kërkoj nga ata që dinë diçka të na ndihmojnë që të dalim nga kjo situatë”, deklaroi për Sky Sports mesfushori i Chelseas, i cili luajti të dielën, edhe pse u njoftua me rastin.

Mikel nuk është futbollisti i parë nga Premierliga të cilit i është rrëmbyer një familjar në Nigeri. Në korrik 2008, vëllai më i madh i mbrojtësit të Evertonit, Joseph Yobo ishte kidnapuar në Port Harcourt. Nornu Yobo ishte liruar 10 ditë më vonë, por nuk dihej nëse ishte dhënë ndonjë shpërblim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›