Maliqi pajtohet me Prishtinën
Behar Maliqi është pajtuar me Prishtinën, nga i cili klub dëshironte të largohej për çka kishte bërë kërkesë edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës, pasi drejtuesit e klubit bardhekaltër nuk i kishin kryer të gjitha obligimet ndaj tij.
“Behari ka qenë, është dhe do të mbetet i Prishtinës. Ka tentuar që nëpërmjet rrugëve të gabuara të bëjë hapa përpara, por ka parë që Prishtina është rruga më e mirë. Ai tashmë e ka kuptuar se nuk është mbi Prishtinën, sepse mbi Prishtinën nuk mund të jetë as Lionel Messi”, tha për Express, nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi.
“Suspendimi i është hequr Maliqit. Po ashtu, atij do t’i kryhen obligimet sikurse futbollistëve të tjerë që ua kemi kryer. Mirëpo, nuk do të shpëtojë pa u sanksionuar, varësisht nga deklarimi i kryetrajnerit. Ai ka munguar në fazën përgatitore dhe përveç që do të dënohet, Behari duhet të punojë jashtëzakonisht shumë për t’iu rikthyer formacionit të parë”, vazhdoi ai.
Maliqi tashmë i ka nisur stërvitjet me bardhekaltrit.
Shumë klube të tjera mezi prisnin shkëputjen e kontratës së reprezentuesit kosovar me Prishtinën, pasi synonin t’i siguronin për vete shërbimet e tij.