Australianët, të gëzuar për Berishën

Besart Berisha është transferuar edhe zyrtarisht të martën te kampioni aktual i Australisë, Brisbane Roar, me të cilin ka nënshkruar kontratë njëvjeçare.
Sulmuesi kosovar konsiderohet si zëvendësues ideal i futbollistit golashënues, Kosta Barbarouses, i cili u transferua në klubin rus, Alania Vladikavkaz. Ish-futbollistin e Arminia Bielefeldit e ka lavdëruar trajneri i klubit nga Australia, Ange Postecoglou.
“Ai ka luajtur për disa klube të mira në karrierë. Ai është lojtar i nivelit ndërkombëtar dhe i përshtatshëm. Mendoj se ai do të jetë i gatshëm për sistemin tonë. Ishte një lojtar që e kishim nën kontroll dhe kur Kosta u largua, kishte vend për një sulmues tjetër”, tha Postecoglou.
Përfaqësuesi shqiptar e arriti maksimumin në karrierë kur u transferua në Hamburg, me të cilin shënoi edhe gol në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, ai ishte huazuar në klubet daneze AaB e Horsens, dhe në atë norvegjez, Rosenborg. Ai gjatë karrierës ka luajtur edhe për klubin anglez Burnley.