Mikele Plaçido: Një film për demonstratat e studentëve
• Sikurse ishte folur këto ditë, Mikele Plaçido viziton sërish Shqipërinë.ANILA MEMADje në mesditë, aktori i njohur italian është takuar me ministrin e Kulturës, Ylli Pango, i shoqëruar nga regjisori i filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder”, ku artisti interpreton në rolin e kontit çek. “Ndihem mirë dhe për këtë duhet të falënderoj ministrin e Kulturës, sepse gjeta një njeri të shkëlqyer me shumë energji dhe kjo të bën të shpresoj më shumë për kulturën dhe kinemanë shqiptare”, shprehet aktori i njohur, i cili pranoi se shpreson në një tjetër bashkëpunim në të ardhmen në Shqipëri. “Do të isha i nderuar të punonim bashkë, pasi Pirro Milkani më dha mundësinë të isha pjesë e filmit të tij dhe sot kur mbërrita në aeroport nuk më përshëndetën si Katani, por si konti i Shtrenbergut. Ky është konti i Shtrenbergut, më tha policia në aeroport dhe falë regjisorit po shoh se kam një identitet të ri këtu në Shqipëri”, thotë Plaçido. Mësohet se artisti i famshëm italian po mendon për realizimin e një filmi, bashkëpunim shqiptar, për protestat e studentëve. Megjithatë nuk bëhen të ditura detaje të hollësishme rreth këtij projekti. Ajo që vetë aktori pohon, përsa i përket bashkëpunimit të mëtejshëm, është se jam në Shqipëri, sepse jam ftuar të flasim edhe për bashkëpunime të mëtejshme. “Do të më pëlqente shumë dhe do ishte nder për mua që të bëja diçka edhe në kujtim të stërgjyshes time që fliste shqip dhe ishte pjesë e familjes sime nga ana e babait, që në 1600 kanë ardhur nga këto male dhe erdhi në Shqipëri. Unë sot kthehem në Shqipëri dhe shpresoj të bëj diçka”, shton aktori, duke mos dhënë të tjera detaje rreth projektit. Pas takimit me ministrin, që zgjati rreth 45 minuta, Mikele Plaçido thekson se që pas ardhjes së tij të fundit në Shqipëri, Shqipëria ka ndryshuar shumë. “Duket sikur është një Milano, a Roma. Ju ndoshta jeni të ri dhe nuk e kujtoni si ishte 15 vjet më parë Shqipëria. Është e qartë që ende duhet të bëjë hapa para, por vë re një klimë tjetër në krahasim me shumë vite më parë. Çdo qeveri ka problemet e veta, por shoh një energji pozitive në Shqipëri”, thotë aktori. Ndërkohë pas projeksionit të filmit rreth orës 20:10 minuta, Plaçido nuk ka ngurruar t’u përgjigjet edhe më gjatë pyetjeve ndaj medias. Ai është shprehur se filmi “Trishtimi i zonjës Shnajder” është një nga filmat e punuar mirë dhe, sipas tij, të punosh njëkohësisht me shkollën ceke, qoftë edhe atë shqiptare, është eksperiencë e veçantë. “Tema e komunizmit padyshim që duhet trajtuar edhe më tepër në filma, se është një temë që tërheq gjithmonë dhe ke çfarë tregon, çfarë mesazhi jep”, thotë ai. Ndërkohë përsa i përket edhe rolit që e bëri të famshëm, Katanin, Plaçido shton: Unë kam qenë aktor teatri dhe nuk kam dashur të bëhesha aktor filmi. Por kur m’u afrua roli unë nuk e dija suksesin që do më jepte ai dhe dua t’i them faleminderit këtij personazhi. Dhe prej tij provova të bëja dhe regjisorin dhe producentin”, ka theksuar aktori. “Zakonisht më pëlqejnë personazhet historike dhe personazhet negativë. Për mua dua të them se të bësh të tillë personazh është më mirë të bësh personazhe të mirë, ndaj edhe Padre Pio, apo edhe shumë të tjerë bëjnë pjesë në gamën e tyre”, thekson aktori, i cili sot rreth orës 12:00 do të ketë një takim me Presidentin shqiptar Bamir Topi, më pas do të niset drejt Italisë.