Minatorët e Bulqizës, afat 8 ditë qeverisë për kushtet
• BULQIZE - Minatorët e Bulqizës kërcënojnë me grevë urie nëse deri më 20 mars nuk ndryshojnë kushtet e tyre.Mëngjesin e djeshëm, mbi 300 minatorë të turnit të parë braktisin galeritë për t’i bërë dhe një herë thirrje Ministrisë së Ekonomisë për të mos privatizuar minierën dhe të ndikojë te firma që e ka me koncesion, që të përmirësojë kushtet e punës. Në fund të muajit shkurt të këtij viti, këshilli sindikal i minatorëve të Bulqizës u ka dërguar një peticion të gjitha institucioneve shtetërore, tek të cilët ata kanë shpresë se mund t’i ndihmojnë. Meqenëse nuk morën asnjë përgjigje, këshilli sindikal organizoi dje në mëngjes në ambientet e minierës një protestë njëorëshe. Kryetari i sindikatave të minatorëve, Dilaver Përkoxha, tha se kjo protestë vinte pas peticionit dërguar autoriteteve më të larta të vendit. “Kemi kërkuar zbatimin e marrëveshjes kolektive të punës, përmirësimin e kushteve të punlës, ndaljen e privatizimit të atyre sektorëve minerarë që janë dhënë kohë më parë me koncesion, por më vonë janë ndryshuar hartat e koncesionit, duke favorizuar individë të caktuar, miratimin e statusit të minatorit, emërimin e një mjeku dhe ndihmësi të tij në minierë etj.”. Minatorët në protestë deklaruan se punojnë në kushte mjaft të vështira. Rrobat e tyre nuk thahen asnjëherë. “Ja çfarë rrobash veshim. Janë caktuar gjoja punëtorë që merren me tharjen e rrobave tona, por siç e dalloni ne vazhdojmë të punojmë në kushte mjaft të rënda, që nga rrobat e lagura që i mbajmë 8 orë në trup, pa përmendur se çdo ditë jeta jonë është në rrezik”, pohuan minatorët e Buqizës. Ata kanë kërkuar rishikim të pagave dhe të korrigjohet mosha e daljes në pension të minatorëve dhe profesioneve të vështira.