E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zgjidhja e krizës mbetet sfidë për mazhorancën"

Deputeti i socialistëve, Ditmir Bushati, vlerëson se fillimi i shqyrtimit të aplikimit të Shqipërisë shënon hapin e parë që do t‘i krijojë mundësi reale komisionit për të vlerësuar përgatitjet e Shqipërisë në lidhje me fitimin e statusit të vendit kandidat. Për fat të keq, tha ai, Shqipëria shënoi një precedent të pakëndshëm, pasi iu deshën 7 muaj për të filluar shqyrtimi i aplikimit që nga 28 prilli 2009, kur qeveria shqiptare paraqiti kërkesën në Pragë. "Opozita shqiptare e mirëpret një vendim të tillë, pasi jo vetëm e ka nxitur aplikimin e Shqipërisë, por ka demonstruar në mënyrë konsistente se është e gatshme që ta ndajë politikën e ditës nga interesat madhore që kanë të bëjnë me integrimin europian të vendit", tha Bushati. Sipas tij, veprimi i këshillit tregon edhe një herë tjetër që qeverisë ‘Berisha‘ për fat të keq i mungojnë dy elemente esenciale në procesin e integrimit europian: cilësia dhe shpejtësia e reformave. "Përmbushja e detyrimeve që burojnë nga ky proces nuk mund të kufizohet në një ushtrim teknik, që ka të bëjë me plotësimin e pyetjeve që kërkon pyetësori voluminoz. Në të kundërt, është testi kryesor përmes të cilit do të vlerësohet se sa e aftë është Shqipëria në kuptimin politik, ekonomik, ligjor, institucional", u shpreh Bushati. Ai shtoi se mazhoranca duhet të tregohet e përgjegjshme për t‘i dhënë fund impasit politik e institucional në vend, pasi në të kundërt marrja e statusit të vendit kandidat mund të vihet në pikëpyetje. "Natyrisht që pa zgjidhje të krizës politike të shkaktuar si pasojë e deformimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit dhe mosrespektimit të instrumenteve garantues të sanksionuar në Kodin Zgjedhor, vështirë të mendohet në suksesin e këtij procesi, përfitues të të cilit duhet të jenë qytetarët shqiptarë", nënvizoi Bushati. Të dhënat e fundit të "Transparency International", vijoi ai, në lidhje me përkeqësimin e perceptimit të korrupsionit, liria e medias, çështjet e pronësisë, kapacitetet administrative, krimi i organizuar dhe trafiqet janë disa pengesa të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›