E Diel, 1 Nëntor 2026

Miku i Berishës e blen heshtjen e Këshillit të Europës me havjar. Edhe Grossruck ngjyen gishtin

Share

Berisha dhe miku i tij, Alijev

Audrey Glover, e cila vuajti në Shqipëri njësoj si në Azerbajxhan, ngre pyetjen: A ia vlen të dërgosh vëzhgues zgjedhorë në këto vende?

Ka shumë deputetë të Asamblesë së Këshillit të Europës, të cilët menjëherë pasi thonë përshëndetje, të pyesin ku është havjari. Kështu shprehet një politikbërës i lartë azer për Iniciativën për Stabilitetin Europian (ESI), një think- tank i rëndësishëm evropian, që ka përgatitur një investigim rreth 30 faqe për mënyrën se si po e blen heshtjen e Këshillit të Europës Ilham Alijev, president i Azerbajxhanit. Raporti botohet këto ditë pasi mbarë Europa i pati sytë në Baku, ku u zhvillua edhe Festivali Europian i Këngës.

Raporti është interesant për tre fakte: sepse flet për Këshillin e Europës, drejtimin e të cilit e kemi marrë ne. Së dyti, sepse flet për një mik të ngushtë të kryeministrit shqiptar. Dhe së treti sepse aty përfshihet edhe një tjetër mik i Berishës, Wolfgang Grossruck, që ka bërë çmos që të vlerësohen zgjedhjet problematike në Shqipëri, njësoj si në Azerbajxhan.

Havjari ka qenë gjithmonë simbol i luksit. 90 përqind e havjarit të botës vjen nga deti Kaspik dhe Azerbajxhani është një vend i pasur me havjar dhe bujar me pasurinë e tij. Të dhurosh është pjesë e kulturës azere. Por ndonjëherë, ka edhe një çmim nga pas.

Diplomacia e havjarit do të thotë të fitosh dhe të mbash vulën e legjitimitetit të anëtarësimit në Këshillin e Europës. I krijuar në vitin 1949, Këshilli i Europës nuk është klubi me më shumë ndikim në Europë. Në fakt, të përballur me arkitekturën konfuze institucionale të Bashkimit Europian, shumë qytetarë duket se e kanë harruar Këshillin e Europës. Por në atë mënyrë të qetë dhe pa pretendime, Këshilli i Europës qëndron për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Për më shumë se gjysëm shekulli ka simbolizuar vlerat pas Europës së bashkuar. Të jesh një anëtar i KiE do të thotë të jetësh pjesë e familjes evropiane, shkruan ky think-tank.

Por si e blen Azerbajxhani influencën në Këshillin e Europës? Një kilogram havjar është rreth 1300-1400 euro. Secili nga miqtë tanë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës merr çdo sesion, katër herë në vit, të paktën 0.4-0.6 kg. Miqtë tanë kyç në këtë Asamble janë rreth 10-12. Ka edhe 3-4 njerëz në sekretariat, i thotë një burim azer në Strasburg organizatës ESI.

Por havjari është vetëm fillimi.

Havjari, së paku, jepet çdo sesion. Por gjatë vizitave në Baku, shumë dhurata të tjera ofrohen. Shumë deputetë të KiE e vizitojnë rregullisht Azerbajxhanin dhe paguhen bujarisht. Në një vit normal, 30- 40 prej tyre ftohen, disa vazhdimisht. Njerëzit ftohen në konferenca, aktivitete, ndonjëherë edhe në pushime verore. Këto janë pushime të vërteta, të mbushura me dhurata të shtrenjta. Dhuratat janë kryesisht tapete, ar dhe argjendurina, pije, havjar dhe para. Në Baku një dhuratë e zakonshme është 2 kg havjar, thuhet në raportin e ESI.

Por si e ndihmojnë këta njerëz liderin autokrat të Azerbajxhanit? Duke i përgatitur raporte pozitive për zgjedhjet. Në investigimin e bërë nga ESI flitet për zgjedhjet e vitit 2010. ODIHR dërgoi si drejtuese të misionit vëzhgues Audrey Glover, me nam edhe në Shqipëri. Madje raporti citon se si Glover u refuzua nga qeveria shqiptare, e cila kërkoi nga ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, të ndikonte si drejtuese e OSBE në atë kohë, që Glover të mos caktohej në krye të misionit vëzhgues. Por ODIHR refuzoi prerë.

Kur mbërriti në Azerbajxhan, ajo vuri re menjëherë problemet me zgjedhjet. Por dy ditë përpara zgjedhjeve, anëtarët e Këshillit të Europës që vëzhgonin zgjedhjet, e thirrën atë në një restorant italian. Aty ishte edhe Wolfgang Grossruck, përfaqësues i asamblesë së OSBE-së. Qëllimi ishte tia mbushnin mendjen Glover të thoshte se zgjedhjet ishin progres. Por Glover u tha se zgjedhjet ishin më keq se ato të mëparshmet. Madje rezultati ishte i paravendosur.

Pas zgjedhjeve të gjithë dolën në konferencën për shtyp. Ishte e vështirë ajo që do thuhej. Njëri tha që më mirë të thonë fjali pa kuptim. Grossruck e nisi me lëvdata. Po ashtu edhe anëtarët e KiE. Madje një britanik i KiE tha se ishte krenar për këto zgjedhje. Në fund foli Glover. Ajo tha se zgjedhjet nuk plotësuan standardet ndërkombëtare. Disa gazetarë opozitarë shpërthyen në duartrokitje. Njëri prej tyre e pyeti se a ishin blerë me ryshfet vëzhguesit ndërkombëtarë. Glover u përgjigj: Unë jo. Pak ditë më vonë Grossruck i shkroi kreut të ODIHR me mllef për Glover: Ajo nuk pa faktet, por shkoi sipas qejfit të opozitës. Pak më vonë Glover shkroi në një letër dorëheqje: Nuk e di a ia vlen të dërgosh më misione vëzhgimi në këto vende?


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›