E Diel, 1 Nëntor 2026

Miku i Berishës vulos standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit

Zëvendëspresidenti i AP të OSBE-së, Grosruk, do të lexojë deklaratën paraprake. Pakënaqësia e Berishës e detyroi OSBE-në të përballë Gloverin me Grosrukun

Albert Gjoka

Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zoti Volfgang Grosruk, i njohur ndryshe edhe si mik i kryeministrit Berisha, do të paraqesë vlerësimin paraprak të zgjedhjeve të 28 qershorit. Një fakt i tillë është bërë i ditur zyrtarisht në faqen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, sipas së cilës, zoti Grosruk do të shpërndajë deklaratën paraprake paszgjedhore të OSBE-së, e cila do të mbështetet në të dhënat e grumbulluara nga parlamentarët, vëzhguesit afatshkurtër që vijnë nga shtetet pjesëmarrëse të organizatës dhe vëzhguesit afatgjatë të ODIHR-it.
Në ndryshim nga herët e tjera, OSBE-ODIHR-i do t’i monitorojë zgjedhjet në mënyrë të fragmentuar për shkak të presioneve dhe pakënaqësive të shprehura nga zoti Berisha në lidhje me kandidaturën e ambasadores Glover. Pas disa javësh negociata është vendosur që monitorimi i zgjedhjeve të 28 qershorit të bëhet njëherësh nga një ish-kritizere e Berishës, si zonja Glover dhe nga një mik i tij, si zoti Grosruk. Presidenca greke e OSBE-së ka vendosur që të balancojë ekuilibrat pas caktimit të shefes së misionit vëzhgues të ODIHR-it, zonjës Glover. Ministrja e Jashtme e Greqisë, zonja Dora Bakojanis, në cilësinë e vendit kryesues të presidencës së radhës së OSBE-së, e ka caktuar zotin Grosruk në këtë detyrë që në datën 19 maj të këtij viti dhe njohja zyrtare u bë më 3 qershor. Përmes një deklarate të përbashkët është kërkuar zyrtarisht bashkëpunim më i ngushtë mes ODIHR-it dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Vula e zgjedhjeve
Deklaratën e parë për zgjedhjet e 28 qershorit do ta japë miku i Berishës. Ky fakt pohohet nga burimet zyrtare të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. “Në pozicionin e koordinatorit dhe udhëheqësit të misionit të vëzhguesve afatshkurtër, zoti Grosruk, një njeri me eksperiencë në monitorimin e zgjedhjeve, do të shpërndajë deklaratën paraprake në emër të OSBE-së, në një konferencë që do të mbahet në Tiranë një ditë pas zgjedhjeve”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Asamblesë Parlamentare, pas përfundimit të takimeve të zotit Grosruk në Tiranë. Para se të vinte në Tiranë, zoti Grosruk vizitoi më 3 qershor zyrën qendrore të OSBE-së për të Drejtat e Njeriut dhe Institucionet Demokratike në Varshavë, ku e ka informuar këtë strukturë në lidhje me përgatitjet për misionin vëzhgues në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, ai mirëpriti mbështetjen e ofruar nga ODIHR-i dhe ekipi i tij në Shqipëri.
Deklarata paraprake paszgjedhore e OSBE-së, që do të shpërndahet nga zoti Grosruk, do të bazohet në faktet e mbledhura nga parlamentarët e OSBE-së, vëzhguesit afatshkurtër, pjesëmarrës nga shtetet e OSBE-së dhe vëzhguesit afatgjatë të ODIHR-it”, - thotë deklarata e nxjerrë dy ditë më parë.
Dy nivelet
I gjithë procesi zgjedhor, që nga parapërgatitjet dhe deri te shpallja e rezultateve, është në dorën e shefes së misionit të ODIHR-it, zonjës Glover, por dita e votimit do të përcaktohet nga roli koordinues dhe monitorues i 400 vëzhguesve afatshkurtër që drejtohen nga zoti Grosruk. Dy përfaqësuesit e organizatës kanë një të kaluar me proceset zgjedhore dhe politike në Shqipëri. Ata kanë edhe një pikë takimi dhe njëherësh pikë kundërshtimi që ka të bëjë me zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996. Nëse ish-drejtoresha e ODIHR-it vlerësoi përfundimisht me notë negative procesin e 26 majit të vitit 1996, austriaku Grosruk kishte një opinion të ndryshëm, pasi ishte deklaruar si mik i ish-presidentit Berisha, miqësi që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Burime për gazetën thonë se emërimi i z. Grosruk erdhi pikërisht pas pakënaqësive që shfaqi kreu i maxhorancës aktuale Berisha në lidhje me emërimin e ambasadores britanike, zonjës Glover, e njohur si një eksperte e zonja në procesin e monitorimit dhe vlerësimit të zgjedhjeve. Ai e mbajti të bllokuar procesin dhe punën e misionit për disa ditë. KQZ-ja i mbylli derën stafit të zonjës Glover dhe pas disa debatesh dhe negociatash duket se u arrit në një kompromis. Kjo ka bërë që për herë të parë OSBE-ODIHR-i ta specifikojnë monitorimin e zgjedhjeve në dy nivele; në rrafshin që i përket misionit afatgjatë që drejtohet nga ambasadorja Glover, dhe në misionin afatshkurtër që do të drejtohet nga zoti Grosruk, i cili është njëherësh dhe zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Po dje, ODIHR-i në Varshavë ka publikuar rregullat e reja për misionin vëzhgues afatgjatë.

Glover dhe Grosruk, qëndrime diametralisht të kundërta për 26 majin

Kur e gjithë bota u shpreh me kritika të forta për standardet e zgjedhjeve parlamentare të 26 majit, vetëm zoti Grosruk e vlerësoi pozitivisht procesin; madje, në ndryshim edhe nga raporti paraprak dhe ai përfundimtar i OSBE-ODIHR-it, i cili jepte në mënyrë të detajuar shkeljet skandaloze që u bënë.
Ish-kryetar Bashkie i Griskirshen, një qytet i vogël në Austri dhe mik personal i Berishës, ai ka folur shpesh publikisht në përkrahje të PD-së, duke përdorur një fjalor therës ndaj “ish-komunistëve”, siç i quan ai socialistët shqiptarë. “Më duhet të them se zgjedhjet (e 26 majit, shën. ynë) ishin cilësore dhe korrekte”, - deklaronte Grosruk në konferencën e tij të shtypit menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 1996, i cituar nga agjencia britanike “Rojter”. “Jam i kënaqur që nuk vura re incidente në zonat që vizitova. Nuk vërej asgjë që të më shtyjë të besoj se zgjedhjet ishin jokorrekte”, - tha ai pak ditë më vonë, pas kthimit në Vjenë. Ai shtoi gjithashtu se për të ka qenë e qartë, shumë para mbylljes së qendrave të votimit, se opozita do t’i braktiste zgjedhjet. Sipas z. Grosruk, gjithnjë i cituar nga Rojteri, këto zgjedhje shënuan “fitoren e demokracisë dhe të reformave të tregut të lirë”. Ndërsa ekipi prej 50 vëzhguesve të huaj të ODIHR-it, që ishte në terren, paraqiste me nota tejet kritike të gjithë procesin dhe momentin e votimeve. Asnjë proces zgjedhor në Shqipëri nuk ka pasur vlerësime kaq negative. Kësaj radhe le të shpresojmë që zonja Glover dhe zoti Grosruk do të jenë në një mendje për standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›