LSI: Të mos shpërdorohen paratë e taksapaguesve për mitingje
Lëvizja Socialiste për Integrim është bashkuar me shqetësimet e shprehura nga misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, në raportin e dytë paraprak të tyre për këto zgjedhje. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, duke u ndalur në pjesën e raportit që konstatonte presionet ndaj administratës publike për të marrë pjesë në mitingje, i kujtoi kryeministrit Berisha dhe kryebashkiakut Rama që të mos i shpërdorojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë për qëllimet e tyre politike. “Presionet politike nga qeveria mbi nëpunësit civilë dhe administratën publike për të marrë pjesë në aktivitete politike zgjedhore, ashtu si dhe përdorimi i fëmijëve në mitingje e aktivitete zgjedhore, duhet të ndalojnë. Paratë që përdoren nga qeveria dhe nga pushteti vendor, për vepra dhe shërbime publike, janë para të taksapaguesve shqiptarë dhe jo para private të kryeministrit, të kryetarit të Bashkisë, apo të partive që përfaqësojnë”, - tha Haxhinasto.
10 Qershor 2009