Miku i Edi Ramës, Adrian Severin, përjashtohet nga grupi i majtë në PE
Korrupsioni i Eurodeputetit
Pas publikimit nga gazeta “The Sunday Times”, të skandalit të tre eurodeputeteve, Adrian Severin u përjashtua të mërkurën me votë unanime nga grupi i majtë i Parlamentit Europian. 185 socialdemokratët dënuan në mbledhjen e grupit tre eurodeputetët e akuzuar për korrupsion nga gazeta “Sunday Times”. Nënkryetari i Grupit Socialist në Parlamentin Europian Adrian Severin, është një nga mbështetësit më të fortë të aksionit të opozitës shqiptare kundër të gjitha proceseve integruese të vendit, si liberalizimi i vizave apo dorëzimi i statusit kandidat dhe kërkesave të saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Ndërsa Ernst Strasse dhe Zoran Thaler dhanë menjëherë dorëheqjen pas publikimit të skandalit në gazetën britanike, ish-zëvendëskryeministri rumun Adrian Severin refuzoi të lëshonte mandatin e eurodeputetit. Ai dha dorëheqje vetëm nga pozicioni i nënkryetarit të grupimit të majtë si dhe vetë kufizoi përkohësisht mandatin e tij si eurodeputet. Martin Schulz, President i Grupit Socialdemokrat në PE u shpreh se ato video tregonin qartë korrupsionin dhe se pavarësisht hetimit të Parlamentit Europian, përgjegjësia morale e Severin duhet të çojë në të njëjtën pasojë, siç vepruan dhe kolegët e grupeve të tjera. Në rast se Severin nuk jep dorëheqjen si eurodeputet, atëherë largimi i tij mund të bëhet sipas procedurës nga Parlamenti Europian ose nga partia që e kandidoi atë në vendin e origjinës për zgjedhjet e fundit europiane. Severin u përfshi nga një skandal për korrupsion, pasi ra dakord për të ofruar shërbime në këmbim të një shume të konsiderueshme të hollash për gazetarët e “The Sunday Times”.
...