E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti polak dekoron tre shqiptarë

Tre nënshtetas shqiptarë u nderuan të mërkurën me medalje nga presidenti i Polonisë, Bronislaw Komorowski. Të nderuarit janë Arqile Teta, Ylli Alibali dhe Vasillaq Orgocka.

Alibali dhe Orgocka u nderuan me Kryqin e Artë të Meritës, për kontribut në zhvillimin e demokracisë, ndërkohë që Teta u nderua me Kryqin Kalorësiak të Urdhrit të Meritës, për kontributet e tij të veçanta në popullarizimin e historisë së Polonisë, dhe për zhvillimin e bashkëpunimit shkencor mes dy vendeve. Dorëzimi i medaljeve u bë nga ambasadorja e Polonisë në Tiranë, Irena Tatarzyska, gjatë një ceremonie që u mbajt në ambientet e ambasadës polake.

Ndryshe, Alibali dhe Orgocka ishin të dënuar me shumë vite burg nga regjimi komunist, nën akuzën e montuar për propagandë armiqësore dhe spiunazh në favor të Polonisë. E profesori Teta, veç të tjerash, është autor i monografisë kushtuar shkencëtarit të madh polak, gjeologut Stanislav Zuber, i cili u torturua dhe u vra nga regjimi komunist shqiptar, në vitin 1948.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›