E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan, Maldini refuzoi rikthimin e bujshëm

Seria A Pas emergjencës, kuqezinjtë kërkuan ish-kapitenin për shtatë javët e fundit të sezonit

“Paolo ktheu në fushë, që ta fitojmë së bashku këtë titull”. “Jo, faleminderit!”. Ky është pak a shumë thelbi i negociatave ndërmjet drejtuesve të Milanit dhe ish-kapitenit kuqezi, Maldini. Sipas së përditshmes “Corriere della Sera”, ish-mbrojtësi legjendar i kuqezinjve dhe Kombëtares italiane ishte fare pranë rikthimit të bujshëm në fushat e lojës. 42-vjeçari, i cili i tha lamtumirë futbollit të luajtur në majin e vitit 2009 pas 25 vitesh aktivizim me “djallin”, së fundmi është kontaktuar nga klubi i rrugës “Turati”. Duke marrë në konsideratë emergjencën në repartin difensiv, me Nestën dhe Bonerën të dëmtuar, Favalin që jep aq sa mundet dhe Kaladzen të “mënjanuar”, përfaqësuesit e Milanit i kanë propozuar Maldinit të kthehet në fushë për javët e fundit të Serisë A, kur të besuarit e Leonardos kishin ende shpresa për titullin kampion. Tundimi për t’u ndier edhe një herë futbollist dhe për të ndihmuar skuadrën e zemrës ishte i madh, por në fund Maldini refuzoi. Ai kërkoi 24 orë kohë për të vendosur dhe sipas burimeve pranë klubit hoqi dorë nga kjo ide, me xhentilesën e zakonshme. Gjatë këtyre dhjetë muajve që nuk ka luajtur futboll, ish-mbrojtësi e ka mbajtur trupin në formë. Megjithatë, për të qenë në formë të pranueshme që të luante një ndeshje të Serisë A, do t’i nevojitej pak punë dhe për fat të keq koha nuk është në anën e tij.

Edhe pse Maldini nuk do të kthehet në fushë, dialogu mund të shërbejë si një sinjal riafrimi mes palëve dhe marrëdhënia e tyre mund të vazhdojë me ish-kapitenin, që mund të emërohet në një post në klub. Gjatë vitit të kaluar, Paolo dhe Milani nuk ishin ndarë në mënyrën më të mirë: pas kontestimit të pakuptueshëm nga ana e tifozëve gjatë përshëndetjes në “San Siro”, Maldini priste që drejtuesit e skuadrës të mbanin një pozicion zyrtar. Por, reagimi rreth episodit absurd nuk erdhi… të paktën jo në kohën e përshtatshme. Këtu lindi edhe ftohja e marrëdhënieve dhe refuzimi nga ish-lojtari që të qëndronte si i punësuar në radhët e klubit. “Momentalisht nuk e shoh veten te Milani”, kishte thënë Maldini 10 muaj më parë. Ndoshta, tashmë gjërat kanë ndryshuar.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›