Juventus ende në krizë, vetëm barazim me Lacion
TORINO- Barazimi 1-1 me Lacion ka treguar se kriza në shtëpinë e Juventusit nuk ka kaluar edhe pse prova e skuadrës së drejtuar tashmë nga Alberto Zakeroni u duk e mirë. Bardhezinjtë kaluan të parët në avantazh me anë të një penalltie të paqenë të marrë nga Del Piero dhe të realizuar prej tij, por edhe këtë herë ishte mbrojtja pika më e dobët. Në të vetmin rast që skuadra e Lacios shkoi në portë, arriti të shënonte. Për Juven, ndeshja e radhës është ajo ndaj Livornos në transfertë dhe gjendja duket alarmante për Zakeronin, sidomos në mesfushë. Pas Poulsen e Kamoranezit, të shtunën do të mungojë edhe Sisoko i skualifikuar, ashtu si Grigera. Ndërkohë lajmi i mirë është se Felipe Melo nuk ka probleme të mëdha dhe do të jetë i gatshëm për këtë takim. Braziliani doli i dëmtuar ndaj Lacios, por mjekët kanë konfirmuar se ai nuk ka asgjë të rëndë. Zakeroni ndërkohë ka vazhduar edhe të hënën të flasë personalisht me të gjithë senatorët e skuadrës, duke nisur nga Bufon e Kanavaro. Një bisedë të veçantë ai ka zhvilluar edhe me Sisokon, një futbollist që e konsideron thelbësor për të ardhmen e skuadrës. Tekniku ka premtuar ndryshime të mëdha, duke nisur që nga takimi me livornezët. Juventusi tashmë ka hyrë në një nga krizat më të mëdha në histori, duke regjistuar 9 humbje në 12 ndeshjet e fundit, madje 4 radhazi në Torino, përfshirë atë me Bajernin e Mynihut. Kjo ka sjellë kontestimin e ashpër të tifozëve, që ndeshje pas ndeshje kërkojnë largimin e drejtuesve të klubit. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)