Milan nuk mendon për të ardhmen

Paolo Maldini është treguar i ashpër ndaj ish-skuadrës së tij, Milan, në një intervistë dhënë televizionit italian, Sky. Ish-mbrojtësi Rossoner e ka kritikuar në veçanti politikën e klubit italian.
“Mendoj se te Milani mungon freskimi dhe programimi për të ardhmen. Aty shumë shpesh është menduar vetëm për të tashmen, mbi të gjitha pas Ligës së Kampionëve të fituar në vitin 2007. Ishim në krye të Evropës dhe të botës, por e dinim të gjithë dhe këtë e kishim thënë shumë herë, se nuk ishim skuadra më e fortë absolutisht. Nëse dëshironim të vazhdonim, ai ishte momenti për të investuar, natyrisht duke i mbajtur lojtarët më të fortë që kishim. Në atë rast, investimi do të ishte inferior, ndaj atij që do të bëhej pas vjetrimit të skuadrës”, theksoi kapiteni legjendar.
Ish-reprezentuesi italian nuk ka kursyer edhe fjalë të tjera të ashpra ndaj Rossonerëve. “Nuk kam mbetur në klub si zyrtar sepse kisha vendosur të largohem paksa, por edhe pse nuk më është bërë asnjë ofertë”, shtoi ai.
“Berlusconi? Së fundmi, prezenca e tij ishte e limituar në disa raste. Mendoj se është futur pak në çështjen e blerjeve të lojtarëve. Më pas, është normale që ishte ai që e thoshte fjalën e fundit po ose jo. Mendoj se në fillim ishte ai që i zgjidhte direkt futbollistët me një kriter tjetër. Por, tash kanë ndryshuar kohërat”, përfundoi Maldini.