Milan, statistika për Serie B

Është stinori i rekordeve për Milanin. Por, deri më tani, vetëm negative. Duke filluar nga 22.106 abonimet vjetore nga tifozët, shifra më e ulët prej kur Silvio Berlusconi gjendet në drejtim të gjigantit nga San Siro.
Kurse, edhe rezultatet e ekipit janë dëshpëruese, si kurrë më parë. Shtatë pikë nga shtatë ndeshjet e para në Serie A. E që për kuriozitet përcillen me shtatë gola të shënuar dhe shtatë të pranuar.
Këto janë statistikat e Rossonerëve deri më tani, gjatë këtij sezoni, e që më tepër i ngjajnë një skuadre që lufton për mbijetesë. Milani të dielën mbrëma humbi derbin e qytetit nga Interi me rezultat minimal 1-0, disfata e katërt në shtatë xhirot e para, e që nuk u ka ngjarë Rossonerëve në 80 vitet e fundit.
Jemi vetëm në tetor, por qysh tani lufta për titull duket pothuajse e paarritshme për Milanin, që ka tetë pikë më pak se Lazio që zë pozitën e tretë, të fundit për kualifikim në Ligën e Kampionëve, dhe plot dymbëdhjetë më pak se liderët Napoli dhe Juventusi.
Para se të shikojë lart, Milani duhet të analizojë atë që ka në shtëpinë e tij.
Skuadra nuk është as përafërm asaj që ishte në edicionin e kaluar, e sidomos pas largimit të qendërmbrojtësit Thiago Silva dhe sulmuesit Zlatan Ibrahimovic, për të mos përmendur të tjerët si Clarence Seedorf, Gennaro Gattuso, Mark van Bommel e Gianluca Zambrotta.
Trajneri Massimiliano Allegri është në konfuzion, kurse klubi është në gjendje të krizës financiare dhe vështirë se mund të lejojë shkarkimin e trajnerit dhe angazhimin e një tjetri.
Nënkryetari, Adriano Galliani në fund të afatit kalimtar të verës kishte deklaruar kështu: “Me ardhjen e Krkicit dhe De Jongut, Allegri nuk ka për çka të brengoset, sepse objektivi nuk është më pozita e tretë. Tani duhet të luftojmë për të fituar, njësoj sikurse në dy vitet e fundit. Me këto përforcime, Milani na e ka ngushtuar disavantazhin”.
Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Njësoj si këto të Allegrit: “Nëse më largojnë, do të mbetem trajneri i cili ka fituar më së shumti pikë në dy sezonet e fundit në Itali”.
Por, edhe ai që ka fituar vetëm shtatë nga shtatë ndeshjet e para. Bilanci më i keq i epokës Berlusconi. Për më tepër, skuadra ka pikë të barabarta me Pescarën, skuadër e promovuar këtë edicion në Serie A.