E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida me Islandën, De Biasi: Të vazhdojmë ëndrrën

TIRANË- "Të vazhdojmë ëndrrën!", ky është synimi i përfaqësueses shqiptare të futbollit, në kuadër të dy sfidave të radhës, me Islandën në fillim dhe me Slloveninë më tej, të vlefshme për kualifikimin në finalet e Botërorit "Brazil 2014".

Sipas trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, ëndrrat reliazohen duke punuar fort dhe duke ecur me hapa të vegjël. "Të hypësh një mal me helikopter është mjaft e thjeshtë, por kur mjetet motorike mungojnë duhet të punosh dhe të kesh vullnet të hekurt për të kaluar çdo sfidë, çdo tatëpjetë për të mbërritur në majë, duke ndjerë më pas një kënaqësi që kurrë nuk do ta ndjeje nëse majën e malit do ta kishe hipur me helikopter”, tha De Biasi.

Gjatë konferencës për shtyp, të zhvilluar sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, tekniku italian, duke qenë i rezervuar sa i takon anës taktike, theksoi se vëmendja e tij është e përqendruar vetëm tek ndeshja e radhës me Islandën, e cila do të zhvillohet ditën e premte më 12 tetor, ora 19.00 në stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa".

De Biasi konfirmoi se këtë radhë, veç atyre që dihen, është rithirrur një lojtar i njohur, siç është Debatik Curri (pas dëmtimit), i cili sipas tij, "do të mundësoj më shumë alternativa taktike në repartin e mbrojtjes", ndërsa shpjegoi se përqendrimi, kujdesi dhe veprimi në grup do të jetë moto për ndeshjen me islandezët. Ne, tha De Biasi, "kemi tendencën e gabuar për të nënvlerësuar kundërshtarin, çka e bëmë edhe në sfidën ndaj Qipros, të cilën e fituam vetëm 10 minutat e fundit. Prandaj, sa i takon ndeshjes së radhës, ndaj Islandës dhe më tej, ndaj Sllovenisë, dua përqendrim dhe impenjim maksimal", përfundoi ai.

Për t'iu përgjigjur interesimit për ndeshjen me Islandën në Tiranë me 12 tetor Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur sot shitjen e biletave për në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”.

Ndërkaq, trajneri De Biasi ka shpallur dhe listën e plotë të lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat e radhës. Në këtë grup trajneri italian ka parashikuar edhe ata që do të jenë në dispozicion të tij për takimin me Slloveninë po në Tiranë, me datë 16 tetor 2012.

Në listën e paraqitur bëjnë pjesë futbollistët Samir Ujkani, Etrit Berisha, Orges Shehi, Lorik Cana, Armend Dallku, Tefik Osmani, Andi Lila, Mergim Mavraj, Debatik Curri, Renato Arapi, Franc Veliu, Jahmir Hyka, Emiljano Vila, Burim Kukeli, Ansi Agolli, Sabien Lilaj, Gilman Lika, Ervin Bulku, Armando Sadiku, Alban Meha, Hamdi Salihi, Odise Roshi, Erjon Bodgani dhe Edgar Çani.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›