Veç gjashtë pikë

Gianni De Biasi ka parashtruar idetë e tij për dy ndeshjet e radhës, ndaj Islandës dhe Sllovenisë, që do të zhvillohen me 12, respektivisht 16, tetor në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror 2014.
Duke pasur parasysh se Kombëtarja do t’i luajë këto dy ndeshje në Tiranë, trajneri italian nuk e ka fshehur objektivin maksimalist për këto dy ballafaqime, që janë 6 pikët, duke mos u pajtuar në parim as me katër të tilla.
“Është në natyrën e trajnerit të kërkojë maksimumin për çdo ndeshje nga skuadra e tij. Të njëjtën gjë kërkoj edhe unë nga dy ndeshjet e radhës, që do t’i luajmë në fushën tonë”, ka thënë De Biasi, të hënën gjatë një konference për media.
Por trajneri italian ka pohuar se është i përqendruar tërësisht te ndeshja e parë me Islandën. “Duhet t’i marrin ndeshjet me radhë dhe t’i përgatisim sa më mirë të jetë e mundur. Në këtë këndvështrim të gjërave, bashkë me skuadrën do të mendojmë vetëm për Islandën deri më 12 tetor, ndaj së cilës nuk ka dyshime, do të luajmë për fitore”, theksoi ai.
Ish-trajneri i disa skuadrave italiane ka theksuar se objektiv i kuqezinjve në dy ndeshjet e radhës është maksimumi i pikëve.
“Nuk kënaqemi me 4 pikë, sepse duam gjithmonë maksimumin. Sidoqoftë, këmbëngul se me rëndësi është fillimisht fitorja me Islandën. Ta kalojmë me sukses këtë kundërshtar, pastaj të bëjmë llogari të tjera, edhe për sllovenët”, shtoi De Biasi, i cili vlerësoi lart islandezët.
24 është numri i lojtarëve që ka ftuar De Niasi në grumbullimin që nisi të hënën për dy ndeshjet kualifikuese të tetorit, ku bie në sy rikthimi i Debatik Currit, prej një viti larg Kombëtares për shkak të dëmtimit që pësoi në klubin e tij turk.
“Dyert e Kombëtares janë të hapura gjithnjë për më të mirët. Nuk i kam ftuar për këto dy ndeshje, por mund t’ju them se po vëzhgoj me shumë vëmendje Berishën, Kapllanin dhe Balën. Këta futbollistë mund të grumbullohen së shpejti me Kombëtaren. Rikthimi i Currit? Diçka e pritshme, sepse ky futbollist ka qenë pjesë e rëndësishme e Kombëtares shqiptare, por dëmtimi e ka detyruar të mos luajë prej gati një vitit”, ka thënë italiani.
Lidhur me shanset reale të Shqipërisë për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin botëror Brazili 2014, De Biasi është treguar i matur dhe realist.
“Pavarësisht dëshirës së madhe për t’u kualifikuar e arritur sa më shumë rezultate pozitive në grupin tonë, nuk duhet të harrojmë se jemi ekip modest. Me këtë dua të them se për të fituar, na duhet shumë punë dhe përqendrim maksimal”, ka përfunduar De Biasi.
Kuqezinjtë pas dy ndeshjeve të zhvilluara grup, zënë vendin e tretë me 3 pikë të tubuara.