E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani, çfarë frike! Në Londër luhet një thriller

TIRANE-Milani është kualifikuar për në çerek finale të Champions League pas një sfide dramatike të zhvilluar në stadiumin “Emirates” të Londrës. Përballë Arsenalit, kuqezinjtë e Masimiliano Alegri kanë përjetuar sërish fantazmat e Deportivo La Korunjës dhe Liverpulit, dy ekipe që në vitet 2004 dhe 2005, kishin bërë dy përmbysje të pabesueshme ndaj 7 herë kampionëve të Evropës. Në Angli është zhvilluar një ndeshje spektakolare, me “Topçinjtë” e Arsen Venger që kanë qenë shumë pranë kualifikimit edhe pse kishin humbur 4-0 në Milano. Takimi përfundoi 3-0, por Arsenali ka patur shanse për të barazuar gjithçka edhe pse në fillim mund të dukej diçka e paimagjinueshme. Në fund, ka triumfuar eksperienca e italianëve, por edhe një rënie e çuditshme e futbollistëve anglezë, sidomos në aspektin fizik. Përpos kësaj, Arsenali meriton duartrokitje për atë çfarë dhuroi në 90 minutat e mbrëmshme, në një ndeshje ku çdo skuadër do të kishte luajtur e pamotivuar. Milani ndërkohë ka kaluar në turin tjetër mes panikut, megjithëse mendohej se sfida e kthimit do të ishte thjesht një formalitet.
Ndeshja
Takimi ka nisur menjëherë me gol për Arsenalin. Pas 7 minutash, Koshielni e dërgon topin në rrjetë me kokë, duke shfrytëzuar më së miri një goditje këndi, por edhe mungesën e vëmendjes të futbollistëve të Milanit. Krejt i vetëm, mbrojtësi i “Topçinjve” nuk e pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë. Më pas është Van Persi që rrezikon, por holandezi nuk është aq i saktë me të djathtën dhe Abiati ka neutralizuar. Minuta e 26-të sjell edhe golin e dytë për Arsenalin, me Roziçkin që e dërgon topin në cepin e portës së Abiatit, duke rindezur shpresat e tifozëve. Ndeshja bëhet akoma më dramatike në minutën e 43-të, kur Çambërlein merr një penallti dhe Van Persi e shndërron në gol. Gjithçka e rihapur për Arsenalin, ndërkohë që futbollistëve të Milanit nis t’u dridhen gjunjët. E megjithatë, në pjesën e dytë ka qenë një tjetër panoramë. Kuqezinjtë kanë kontrolluar më mirë topin, duke mos lejuar Uollkot e Roziçkin të luajnë topa të shpejtë për Zhervinjo e Van Persin. Ky i fundit pati edhe shansin e artë për të barazuar shifrat, por është ndalur nga Abiati. Gjuajtja e Zhervinjo në zonë, nuk u ndal nga portieri dhe Van Persi, dy metra larg portës, ka gabuar fatalisht. Më pas, Milani ka patur lojën thuajse nën kontroll, duke rrezikuar madje në dy momente me Ibrahimoviç dhe Noçerino. Ky i fundit mund të kishte mbyllur ndeshjen, pas një topi të Akuilanit, por edhe pse me portën e boshatisur, e ka dërguar topin në këmbët e portierit Shezni, që dukej i dorëzuar. Gjithsesi, asnjë rrezik për kuqezinjtë deri në fund.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›