Vllaznia pret Rapidin në Shkodër, Flamurtari kërkon kualifikimin në Skoci
Sot pritet të zhvillohen dy ndeshjet e kthimit ekipet shqiptare që luajnë në kupat ndërkombëtare. Sfida e parë, që vetëm emrin ka të tillë, pas rezultatit shkatërrues në Vjenë (5-0) nuk pritet të ketë ndonjë surprizë të Vllaznisë, e cila do të presë Rapidin e Vjenës në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 20.00, e drejtuar nga trajneri Hasan Lika. Sa i takon Flamurtarit, ekipi vlonjat pas disa vitesh mungesë në arenën ndërkombëtare dhe pasi fitoi ndeshjen e parë në vlorë me rezultatin e ngushtë (1-0) ndaj “Nënës së mirë” skoceze, do të përballet me Madheruellin në orën 20.45, në stadiumin “Airdrie”. Tifozët që do të mbështetin vlonjatët nuk kanë për të munguar pasi mjaft shqiptarë që jetojnë në diasporë do të ndjekin ndeshjen në stadium. Trajneri i Flamurtarit, Eqrem Memushi ka thënë për mediat se skuadra nuk do të luajë e tërhequr por do të hidhet që në minutën e parë me formacion sulmues, me qëllim që të kalojë e para në avantazh: “Flamurtari nuk do të luajë në mbrojtje përballë skocezëve por do të përpiqet që të shënojë i pari” –thotë ai.
Skozecët duan vetëm fitore
Në kampin e Madhëruellit janë të bindur se do të arrijnë të kalojnë në turin e tretë të Ligës Europiane, pavarësisht humbjes 1-0 në Vlorë nga Flamurtari, një javë më parë. Takimi që do të luhet nesër në mbrëmje në “Airdrie” i sheh skocezët si favoritë, por në fushë diferencat nuk duken aq të mëdha. “Mendoj se bëmë mjaftueshëm për të fituar edhe në Shqipëri, sidomos kur Saton humbi një penallti”, tha për sot mediat britanike portieri Majkëll Frejzër. “Është luajtur vetëm ndeshja e parë dhe ne tashmë i presim në shtëpi. Ashtu si me Lanelin, ne mund të përmbysim gjithçka. Them se edhe kushtet atmosferike do të jenë më të mira për ne këtë herë, pasi atje vapa ishte shumë e tmershme. Nisa të ndiej lodhje që gjatë nxehjes, nuk isha mësuar me këtë të nxehtë", deklaroi më tej numri një i Madhëruellit.
Sipas Frejzër, skocezët ishin thjeshtë të pafat që nuk shënuan, sidomos kur penalltia e Xhon Saton u përsërit dhe më pas e priti portieri Flamurtarit, Shpëtim Moçka.
23 Korrik 2009