E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani humbet, lojtarët kënaqen me paraqitjet personale

Milano - Skuadra e Milanit pëson një tjetër disfatë në paraqitjet e saj për këtë sezon. Nëse në kampionat mund të rikuperosh një humbje, këtë herë, humbja në Kupën e Italisë i kushtoi skuadrës kuqezi eleminimin. Pavarësisht paraqitjes zhgënjyese të kampionëve të botës mbrëmë në “San Siro”, disa lojtarë kanë dalur të kënaqur nga kjo përballje.

Sulmuesi ukrainas, Andri Shevçenko, arriti të shënojë golin e parë përpara tifozëve të tij, që pas rikthimit. Sulmuesi i ka patur me pikatore aktivizimet e tij në ndeshjet e deritanishme.

Shevçenko shprehet menjëherë pas ndeshjes: “Goli që shënova ishte i pari për mua përpara tifozëve të Milanit. Ndjehem mjaft i lumtur që arrita të shënoj në ‘San Siro’. Gjëja ime më e rëndësishme është të luaj, jam i lumtur vetëm për golin tim”.

Ukrainasi u zëvëndësua nga uruguajani Kardasio, përpara se Lacio të barazonte rezultatin. Takimi i mbrëmshëm ishte historik edhe për zëvëndësuesin e Shevçenkos, Kardasion, i cili luajti ndeshjen e tij të parë zyrtare me skuadrën e Milanit.

Uruguajani është shprehur: “Jam shumë i lumtur për debutimin tim zyrtar në një kompeticion. Ne duhet të ecim përpara për të arritur rezultate të mira, pasi kemi një ekip të fortë, në gjendje për të fituar kampionatin italian”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›