E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani mposhtet në San Siro

Tottenham Hotspur ka shënuar fitore prej 1-0 përballë Milanit në takimin e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve që u zhvillua të martën mbrëma në San Siro.

Mysafirët e filluan mirë takimin duke zhvilluar lojë dinamike dhe duke e dominuar ndeshjen, mirëpo nuk arritën t`i konkretizonin aksionet e tyre pas 45 minutash.

Kuqezinjtë e balancuan ndeshjen në pesëmbëdhjetë minutat e fundit të pjesës së parë, megjithatë mund të thuhet se fraksioni i parë i ndeshjes u takoi Spursave, përkundër se rezultati mbeti 0-0.

Një tjetër Milan u shfaq në pjesën e dytë, sidomos pas zëvendësimit të Clarence Seedorf me Alexandre Paton, ku vendasit e morën lojën në dorë.

Dy raste shumë të mira për të shënuar i pati Mario Yeppes (50’ dhe 60’), mirëpo në të dyja rastet intervenoi për mrekulli portieri Gomes.

Pavarësisht dominimit në fushë, vendasit u dënuan nga një kundërsulm i Aaron Lennon, i cili pasoi te Peter Crouch, dhe shtatlarti nuk e pati të vështirë të realizonte për epërsinë e Spursave (80’).

Ky rezultat është shumë i pafavorshëm për Milanin kur dihet se ndeshja kthyese zhvillohet në White Hart Lane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›