E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani, në Bjellorusi mes ankthit për iktusin e Kasanos

ITALI- Ankthi për Antonio Kasanon do të shoqërojë Milanin në transfertën e vështirë të ditës së martë, ndaj Bate Borisov. Kuqezinjtë do të kërkojnë 3 pikët në Bjellorusinë e largët, përballë një kundërshtari inferior në emra, por tepër i “bezdisshëm” në shtëpi. Në letër, për italianët nuk pritet të ketë asnjë problem, por paniku që ka kapur futbollistët për shëndetin e Kasanos mund të ndikojë jo pak psikologjikisht. Ai është ende i shtruar në spital, në repartin e neurokirurgjisë, ndërsa informacionet e fundit flasin se ai ka pësuar një iktus. Talenti barez u sëmur papritur gjatë kthimit nga Roma dhe u dërgua urgjentisht në spital në një gjendje disi të çuditshme, por agjencia Ansa ka bërë të ditur sonte vonë se ai ka kaluar një iktus. “Antonio në këto momente fle, por është mirë. Ecën, flet, është i vëmendshëm”, tha Pierluixhi Pardo, njeriu që shkroi autobiografinë e tij në vitin 2008. E ndërkohë, trajneri Masimiliano Alegri ka dalë përpara gazetarëve rreth orës së drekës, duke sqaruar situatën e futbollistit. “Antonio është duke ecur mirë sa i përket futbollit, por tashmë gjëja më e rëndësishme është që të rikthehet mirë. Shpresojmë ta kemi sa më shpejt të jetë e mundur, ndoshta pas pushimit për ndeshjet e kombëtares, - tha trajneri i Milanit. – Mora kontakt me të dhe nga mesazhet m’u duk i qetë, por e gjithë skuadra është e shokuar dhe i vjen shumë keq për gjithçka ndodhi”, shtoi Alegri. Rreth orës 13.15, administratori Adriano Galiani ka shpjeguar situatën e Kasanos, duke e ç’dramatizuar disi atë. “Fola me Antonion 5 minuta më parë dhe tani është më mirë. E gjithë skuadra është me të. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. Është një episod i ngjashëm me të Gatuzos dhe kjo na habit”, tha ai. Ndërkohë, në spital kanë hyrë të përlotura bashkëshortja e Kasanos Karolina Marsialis dhe e ëma Xhovana.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›