Kuvendi rikthen në komisionet parlamentar ligjet me 3/5. Topalli: Ligjet dhe reformat në axhendën e çdo seance të Kuvendit

Kuvendi ka rikthyer për t’u shqyrtuar për herë të dytë në komisionet parlamentare ligjet që kërkojnë 3/5 e votave. Kjo si një ofertë tjetër për t’i dhënë mundësi përsëri opozitës të sjellë propozime për këto ligje, për të çuar kështu përpara procesin e zbatimit të 12 rekomandimeve të BE-së.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli theksoi se ligjet me 3/5 kanë qenë gjithnjë në axhendën e parlamentit ndërsa theksoi se ajo si Kryetare e Kuvendit ka gjithë vullnetin pozitiv për të bërë çdo gjë për ta çuar këtë proces përpara. “Axhenda integruese është axhenda jonë parlamentare, është axhenda jonë kombëtare”- ka shtuar Topalli.
Kryetari i Grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe Nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, kërkuan që në kalendarin 3 javor të punimeve të parashikohet rishikimi i Rregullores së Kuvendit. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit sqaroi se rishikimi i Rregullores është tashmë i përfshirë në kalendarin e punës, i votuar në datë 13 tetor 2011 në seancë plenare.
Patozi: Kandidaturat për Këshillin Mbikëqyrës të BSH, propozime nga PD, PS dhe LSI
Kryetarja e Kuvendit dhe Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike i bënë publike opozitës një ofertë politike sa i takon plotësimit të vendeve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, zoti Patozi ofoi që, nga tre kandidatura që propozohen dhe miratohen nga Kuvendi për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, një të propozohet nga PD-ja, një nga PS-ja dhe një nga LSI-ja, si shprehje e vullnetit për bashkëpunim. Pritet të shihet qëndrimi që do të mbajë Partia Socialiste ndaj këtyre propozimeve të bëra prej mazhorancës.