E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani në Tiranë, Rezart Taçi ul çmimet e biletave

 

Rezart Taçi, presidenti i kompanisë së karburanteve "Taçi Oil", ka bërë publike dje në një konferencë për shtyp, disa nga detajet rreth ndeshjes, që Milani do të zhvillojë në Tiranë kundër më të mirëve të kampionatit shqiptar më 12 maj. "Jam krenar që u mundësojmë të gjithë shqiptarëve që të shohin nga afër një ekip madhështor si Milani, i mbushur me yje dhe me një histori legjendare", ka thënë ndër të tjera Taçi. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" në Tiranë dhe do të fillojë në orën 19:00. Në fund të ndeshjes do të zhvillohet një ceremoni çmimesh me dorëzimin e një çeku nga "Taçi Oil" dhe "AC Milan" prej 30.000 Euro UNICEF-it për projektin "Albania Reads" dhe 50.000 Euro fondacionit të "Fëmijëve Shqiptarë" "Domenick Scaglione". Ndeshja do të jetë një event i madh sportiv dhe kulturor dhe përfaqëson tashmë një urë lidhëse të drejtpërdrejtë të Shqipërisë me Evropën. Në konfirmim të saj janë tashmë raportet optimale midis familjes Taçi dhe klubit kuqezi, që kanë mundësuar të sjellin edhe njëherë kampionët e Milanit në Shqipëri. Për më tepër këtë vit do të marrin pjesë për në transfertën në Tiranë bashkë me të tjerët edhe Bekham, Kaka, Zambrota, Gatuzo dhe Pato, të cilët nuk ishin prezentë vitin e kaluar në edicionin e parë të "Taçi Oil Albania Reads".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›