E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani në festë, mjafton një barazim për titullin

SAN SIRO- Një pikë dhe “Djalli” është në Parajsë. Një pikë të shtunën në “Olimpiko” kundër Romës dhe Milani do të fitojë titullin numër 18 në histori. Kuqezinjtë kanë fituar ndeshjen e radhës, duke mposhtur 1-0 Bolonjën në takimin e zhvilluar sot në “San Siro” dhe duke e çuar sërish diferencën në 8 pikë me Interin.

Tashmë titulli duket në “hipotekë”, pasi në 3 ndeshjet e mbetura skuadrës së Alegrit do t’i mjaftojë vetëm një barazim. Sfida e sotme, e luajtur në një “San Siro” të tejmbushur, i ka dhënë Milanit startin deciziv drejt trofeut, pas një sezoni ku kjo skuadër ka dominuar Serinë A falë një futbolli jo aq spektakolar, por shumë efikas. Ndeshja me Bolonjën ishte një konfirmim i Milanit të zakonshëm të këtij sezoni, që pasi shënon një gol, kthehet të administrojë situatën.

Ashtu ndodhi edhe sot. Kuqezinjve u mjaftuan 8 minuta për të gjetur avantazhin me anë të Matjë Flamini, por rastet nuk kanë munguar edhe pas këtij momenti. Kasano ishte shumë pranë dyfishimit në minutën e 17-të, ashtu si Flamini në fundin e pjesës së parë. Më pas, gjithçka ka qenë një administrim rezultati, me një ritëm tepër të ulët të ndeshjes. Robinjo ka qenë ai që ka tentuar për të gjetur golin e dytë, ndërsa më i miri në fushë është vlerësuar sërish Boateng, i aftë të vrapojë gjatë gjithë kohës dhe të krijojë panik në mbrojtjen e Bolonjës. 10 minuta para fundit Britos për pak nuk ka barazuar, por 2 minuta më pas Roça është nxjerrë me të kuqe, me një vendim të dyshimtë të gjyqtarit. Përfundon me fitoren minimale të Milanit, por Silvio Berluskonit të pranishëm në tribunë, i ka pëlqyer edhe kështu.
Ndeshjet
Në takimet e tjera të Serisë A, të zhvilluara sot, spikat fitorja 5-2 e Fiorentinës përballë Udinezes, në një ndeshje ku vjollcët luanin thjesht për të zbavitur publikun e tyre. Skuadra e Mihajloviç ka ndaluar rrugën e friulianëve për në Champions League, falë një paraqitjeje të shkëlqyer dhe që lë pak vend për diskutime. Por, beteja më e fortë në këto momente duket e përqendruar në sfidën për qëndrimin në kategori. Kështu, Sampdoria nuk ka shkuar më shumë se një barazim 3-3 ndaj Breshias në shtëpi, në një sfidë ku miqtë kaluan tre herë në avantazh. Por, vendasit gjetën forcë për të reaguar në të tre momentet dhe në fund morën një pikë, që i nxjerr për momentin nga zona e rënies. Një fitore tepër e rëndësishme edhe për Parmën, që duket se e ka siguruar edhe matematikisht qëndrimin. Ajo mundi 3-1 Palermon në shtëpi dhe tashmë është 6 pikë larg zonës së rënies, kur mbeten 3 ndeshje deri në fund. Fitore me shumë vlera edhe për Katanian, që gjithashtu ka siguruar qëndrimin në radhët e më të mirëve. Skuadra e Diego Pablo Simeones shënoi dy gola ndaj Kaljarit në 15 minutat e fundit edhe pse ishte me 10 vetë. Me fitoren e sotme, siçilianët kanë shkuar 5 pikë larg zonës së rënies. Tri pikë të rëndësishme edhe për Parmën e Kievon, që përfundimisht mund të quhen të shpëtuara.

SERIA A
Çezena-Inter 1-2
Napoli-Xhenoa 1-0
Milan-Bolonja 1-0
Katania-Kaljari 2-0
Kievo-Leçe 1-0
Fiore-Udineze 5-2
Parma-Palermo 3-1
Sampdoria-Breshia 3-3
Bari-Roma
Të hënën
Lacio-Juventus
RENDITJA
Milan 77
Inter 69
Napoli 68
Lacio 60
Udineze 59
Roma 56
Juventus 53
Palermo 50
Fiorentina 49
Xhenoa 45
Kaljari 44
Kievo 42
Parma 41
Bolonja 40
Katania 40
Çezena 37
Sampdoria 36
Leçe 35
Breshia 31
Bari 21

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›