E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani nuk lëshon terren Juve e Roma kapitullojnë

Milani arriti një fitore (2-1) në fushën e Kievos, për të ruajtur të paprekur diferencën nga ndjekësit në krye të tabelës. Kuqezinjtë kaluan në epërsi pas një krosimi të Antonio Kasanos drejt Zlatan Ibrahimoviçit, i cili me kokë shërbeu për Robinjon, ndërsa braziliani e kompletoi aksionin me golin e avantazhit (25’). Milani nuk ishte në pasditen e tij më të mirë, teksa pas një krosimi të bukur të Kevin Konstant, Gelson Fernandes (61’) barazoi rezultatin për të kthyer vendasit në lojë. Mirëpo Aleksandre Pato, i futur në pjesën e dytë në fushë, riktheu epërsinë e kuqezinjve (82’), dhe ky gol rezultoi të ishte goli i fitores, duke qenë se vendasit mbetën me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Bostjan Sesar (84’), dhe nuk patën fuqi ta barazonin rezultatin. Por ndeshja më spektakolare e pasdites është zhvilluar në Gjenovë. Xhenoa ka përmbysur epërsinë prej tre golash të Romës, për ta fituar me rezultat 4-3 ndeshjen e zhvilluar në “Luigi Ferraris”. Mysafirët krijuan epërsi të trefishtë me anë të Filip Mekses (6’), Nikolas Burdizo (16’) dhe Françesko Totti (51’), i cili ishte edhe njeriu-asist i dy golave të parë. Mirëpo, vendasit u kthyen në pjesën e dytë për ta barazuar rezultatin me dy golat e Rodrigo Palasios (52’ dhe 74’) dhe golin e Alberto Paloskit (68’). Mirëpo, nuk përfundoi këtu. Palasio dha një top perfekt për Paloskin në minutën e 86-të, i cili shënoi golin e dytë personal në ndeshje, duke i dhënë kështu Xhenoas një fitore të mrekullueshme, nga ato të denja për t’u rrëfyer edhe pas shumë vitesh.

Juventusi nuk di t’i bëjë tre! Leçe ka mposhtur Juventusin me rezultatin 2-0 në ndeshjen e zhvilluar “Via Del Mare”. Sfida për Juventusin, që nuk i ka bërë tre fitore radhazi në këtë kampionat, nisi shumë keq. Në minutën e 12-të, portieri Xhianluixhi Bufon u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën me 10 vetë. Presioni i vendasve të Leçes rritet dhe ata e gjejnë golin që në pjesën e parë me anë të Xhamel Mesbah (32’). Në pjesën e dytë u konfirmua fitorja e Leçes me golin e shpejtë të Andrea Bertolaçit (48’), i cili u aistua nga Di Mikele.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›