Sëmuret Luan Krasniqi, anulohet sfida kundër amerikanit Banks
Fati i keq vazhdon ta ndjekë Luan Krasniqin. Meçi i tij ndaj amerikanit Xhonaton Banks, i caktuar për t’u zhvilluar më 26 shkurt, është anuluar. Kjo pasi boksieri kosovar është i sëmurë. Lajmin e kanë konfirmuar për mediat gjermane organizatorët e këtij meçi. Ndërkohë, edhe vetë Krasniqi ndihet jashtëzakonisht i dëshpëruar me këtë fat që e ndoqi. “Unë jam thellësisht i dëshpëruar. Nuk po mund të besoj. Më vjen shumë keq për fansat e mi, por një duel në fundjavën e ardhshme nuk është i mundur të realizohet. Shpresoj që dueli do të zhvillohet pak më vonë”, ka deklaruar Krasniqi për mediat gjermane. Ndërkohë, ky lajm nuk i ka pëlqyer as kundërshtarit të Luanit, Banksit. Ai në çastet e fundit e ka anuluar udhëtimin drejt Gjermanisë, ku ishte e paparaparë të zhvillohej meçi, ndërmjet boksierit kosovar me nënshtetësi gjermane dhe atij amerikan. “Unë shpresoj që të ricaktohet një datë tjetër për zhvillimin e këtij meçi”, ka pohuar Banks. Ky meç vlerësohej si shumë i rëndësishëm për të dy boksierët, pasi thuhej se fituesit të këtij dueli do t’i hapej rruga për të luftuar për titullin e kampionit botëror. Por, ky meç është akoma më i rëndësishëm ishte për 39 vjeçarin nga Juniku, sepse Krasniqi synonte që ta mposhtte amerikanin dhe më pas të luftonte për titullin e kampionit ndaj Vitali Klitçkos. Në këtë mënyrë, Luani synonte ta realizonte ëndrrën e tij të kahershme dhe më pas ta përmbyllte karrierën. Krasniqi ishte në fazën përfundimtare të përgatitjeve për meçin ndaj Banks. Ai ndihej jashtëzakonisht në formë të mirë dhe ishte i bindur se do ta mposhtte amerikanin. Fat i njëjtë për Krasniqin edhe para dy vitesh, kur meçi i tij ndaj Aleksandër Dimitrenkos ishte anuluar. Shkak i atij anulimi ishte një dëmtim i rëndë që e kishte pësuar Luani gjatë stërvitjeve për duelin ndaj Dimitrenkos.