Vllaznia, katër shuplaka të rënda Elbasanit
Vllaznia ka arritur të fitojë pastër dhe thellë në “Ruzhdi Bizhuta”, duke konfirmuar veten si forca e tretë e kampionatit, pasi Tirana nuk ka mundur të shkojë më larg se një barazim pa gola me Shkumbinin në “Qemal Stafa”. Ka arsye të gëzohet Mirel Josa. Vllaznia e tij është në superformë dhe humbja me kryesuesit e Flamurtarit nuk mund të jetë arsye dëshpërimi, pasi vlonjatët kanë një marsh më shumë se ekipet e tjera. Por, mbi të gjitha, dje sulmi i Vllaznisë ka rigjetur Xhevahirin që i mungonte. Sukaj ka marrë për dorë ekipin dhe ka qenë njeriu-ndeshje, duke salduar pozicionin e tretë në renditje dhe duke groposur edhe më thellë Elbasanin në kategorinë inferiore. Goditja potente e Sukajt në minutën e 32-të, do të prehej në rrjetë, duke i dhënë kështu mundësinë skuadrës së Josës, që të shkojë në pushimin e ndeshjes me avantazhin me vete. Në fraksionin e dytë, në fushën e lojës do të ekzistojë vetëm Vllaznia, teksa Elbasani është krejtësisht apatik dhe i pafuqishëm për të reaguar. Shtubina do të dyfishojë shifrat dhe avantazhin kuqeblu, vetëm 10 minuta pas nisjes së periodës së dytë. Megjithatë, ekipi i Josës nuk dëshiron aspak të ndalet dhe Xhevahir Sukaj duket vërtet i uritur, pas një serie ndeshjesh pa shënuar. Do të jetë minuta e 39-të e takimit, kur Sukaj do të shënojë golin e tretë për Vllazninë dhe të dytin personal. Shkodranët ulin disi ritmin e lojës, pasi nuk duan t’u shkaktojnë më dhimbje verdhebluve, por do të jetë mesfushori Hodo ai që do të t’i vërë kapak pokerit kuqeblu. Në minutën e dytë shtesë, ish-lojtari i Teutës do ta detyrojë Llanin ta nxjerrë topin për herë të katërt nga rrjeta. Pas kësaj fitoreje, Vllaznia i afrohet edhe më Skënderbeut, teksa e sheh vendin e dytë vetëm nga 1 pikë diferencë. Elbasani zhytet edhe më në fund të renditjes dhe shpëtimi tashmë ka nevojë për një mrekulli.