KUKES/ Ndërtuesit e urave lënë pa ujë fshatin
KUKES - Ndërtuesit e urave prishin ujësjellësin e fshatit. Sërish maqedonasit e firmës “Granit” kanë lënë pa ujë 800 banorët e fshatit Breglumë në rrethin e Kukësit. Fadromat që po gërmojnë për bërjen e këmbës së urës së uzinës në bazamentin e rrugës së vjetër kanë gërmuar dhe kanë dëmtuar rëndë tubacionin qendror që furnizon fshatin më ujë të pijshëm nga Gryka e Vanajve. Banorët të irrituar janë ankuar te firma ndërtuese, e cila ka premtuar riparimin e dëmit. Sipas banorëve nuk është hera e parë që kjo firmë dëmton pa asnjë lloj përgjegjësie tubacionin e ujësjellësit, pasi magjistrali është ndërtuar në një gjatësi prej 500 m pesë vite më parë, në rrugën ku tani kryhen punime për segmentin nga Kukësi në Morin.