Milani vjen në Tiranë, mungojnë vetëm 6 lojtarë
Klubi i Milanit ka bërë të ditur emrat e futbollistëve që janë thirrur në ekipet kombëtare dhe që do të mungojnë në miqësoren me Tiranën më 14 tetor. Në Shqipëri do të vijnë lojtarë si Ronaldinjo, Maldini, Sedorf apo Ambrozini, ndërsa do të mungojnë Kaka, Pato, Zambrota e Gatuzo.
Vetëm 6 janë futbollistët që do të mungojnë për Milanin në ndeshjen me Tiranën më 14 tetor, në “Qemal Stafa”. Sipas asaj që bën të ditur sajti zyrtar i klubit, futbollistët kuqezinj të grumbulluar në ekipet kombëtare janë gjithsej 7, por Andrij Shevçenko ka vetëm një ndeshje, atë me Kroacinë më 11 tetor dhe si rrjedhim, 3 ditë më vonë do të jetë pushim. Nga lojtarët italianbë do të mungojnë Xhenaro Gatuzo, Daniele Bonera dhe Xhanluka Zambrota të thirrur nga Marçelo Lipi, ndërsa futbollistë si Inzagi, Maldini apo Ambrozini do të jenë të gatshëm për të ardhur në Shqipëro.
Nga futbollistët brazilianë, trajneri Karlos Dunga ka preferuar vetëm Kakanë dhe Paton, duke lënë në shtëpi Ronaldinjon. Sjellja e ish-futbollistit të Barcelonës në ndeshjen e fundit nuk ka qenë për t’u përshëndetur, për shkak të një feste me drita të kuqe në fund të ndeshjes me Bolivinë.
Një tjetër futbollist që nuk do të mund të jetë në Tiranë, është çeku Marek Jankulovski, që do të jetë i impenjuar në dy sfidat e radhës për kombëtaren e tij, ato me Poloninë dhe me Slloveninë. Thënë ndryshe, në Shqipëri do të jenë lojtarët kryesorë të Milanit, duke nisur nga portieri Abiati, mbrojtësit Kalaxe, Maldini, Favali apo edhe Senderos nëse do të mund të riaftësohet. Në mesfushë, pritet të jenë futbollistë si Emerson, Flamini, Sedorf e Pirlo. Ndërsa në sulm, veç Shevçenkos, do të jenë edhe Inzagi e Ronaldinjo, që është tashmë i konfirmuar.
(a.s/News24/Balkanweb)