Elbasan, nis edicioni i filmit për fëmijë “Giffoni Albania 4”
ELBASAN - Ka startuar të hënën në qytetin e Elbasanit, edicioni i katërt i festivalit për fëmijë “Giffoni Albania 4”. Organizator i këtij festivali, i cili ka katër vjet që zhvillohet në vendin tonë dhe për të dytin vit në qytetin e Elbasanit, është Mediavision, me producent Namik Ajazi dhe moderatore festivali Manjola Lloja. Nisma është përkrahur edhe kryetari të Bashkisë Qazim Sejdini, i cili ka përkrahur zhvillimin e këtij festivali në qytet.
“E nisim këtë festival në qytetin e Elbasanit pasi eksperimenti që u bë vitin e kaluar ishte më i suksesshmi se qytetet e tjera. Shpresojmë që ky festival i cili starton sot në Elbasan dhe mbyllet në 18 tetor në Tiranë në natën “ Gala” në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku parashikohet të bëhet pjesë e tij, mbi 15 mijë fëmijë, të jetë i suksesshëm”, tha producenti Namik Ajazi. Këtë vit në festivalin “ Giffoni Film Albania 4” marrin pjesë 12 filma për fëmijë e të rinj nga mosha 12 deri 18 vjeç.
Në sallën e Kinema “Mellenium” të qytetit të Elbasanit janë mbledhur fëmijë të moshës nga 12 deri 18 vjeç të cilët përreth dy orë kanë ndjekur dy filma të huaja, të titruara në shqip, filmat “ Ura e Tenapidias” si dhe “Efekte të rrezikshme”, ndërsa në ditën e dytë të festivalit do të shfaqen filmat “I verbër” dhe “Miq për jetë”.
(a.s/News24/Balkanweb)