E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani zbardh 10 orët e vizitës në Shqipëri

Me një faks zyrtar të dërguar në Shqipëri, Milani ka zbardhur çdo detaj të vizitës më 14 tetor. Pasi ka konfirmuar listën e futbollistëve që do të luajnë në sfidën kundër Tiranës për trofeun “Taçi Oil Albania Reads”, klubi i Serisë A zbardhi edhe itinerarin.

10 orë mjaft të ngjeshura qëndrimi në Shqipëri, ndër të cilat përveç drekës zyrtare dhe ndeshjes në orën 19:00 është parashikuar edhe një takim me Kryeministrin Sali Berisha.

Në kryeqytet do të mbërrijnë disa prej yjeve kuqezinj, të cilët nuk do të jenë të angazhuar me përfaqësueset respektive. Nën urdhrat e trajneri Karlo Ançeloti do të jetë kapiteni legjendar Paolo Maldini, i cili është futbollisti me numrin më të madh të ndeshjeve të luajtura për Milanin dhe në Serinë A.

Përveç tij do të jenë dy fituesit e “Topit të Artë”, braziliani Ronaldinjo dhe ukrainasi Shevçenko, tre kampionë të botës si Nesta, Inzagi e Pirlo dhe lojtari i vetëm që ka fituar tre herë Ligën e Kampioneve me tre skuadra të ndryshme (Ajaks, Real Madrid e Milan), Klarens Sedorf.

Skuadra e Milanit, e shoqëruar edhe nga delegacioni me 22 zyrtarë të klubit, mes të cilëve spikasin emrat e Adriano Galianit, Ariedo Braidas, Leonardos, Mauro Tasotit e Filipo Galit, do të niset nga Milano në orën 10:00 të mëngjesit të ditës së martë dhe do të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza” pas 90 minutash.

Në mesditë “Djajtë” do të akomodohen në hotel “Sheraton”, ndërsa në orën 13:30 do të marrin pjesë në drekën zyrtare (delegacioni i Milanit së bashku me 20 të ftuar nga organizatorët e “Taçi Oil”).

Në orën 15:00, delegacioni i Milanit do të pritet në Kryeministri nga drejtuesi i këtij institucioni, z. Sali Berisha, ndërsa pas një ore e gjysmë është parashikuar konferenca e administratorit Galiani, trajnerit Ançeloti e disa lojtarëve.

Në pushim të ndeshjes, që do të startojë në orën 19:00, do të jepet çeku për UNICEF, ndërsa në 21:40 skuadra do të niset drejt Rinasit, për t’u kthyer në Itali.

Edhe pse lojtarët nuk do të jenë, në orën 22:00 do të organizohet mbrëmja gala, ku është parashikuar një ankand me fanellat e autografuara nga lojtarët e Milanit. Të pranishëm aty pritet të jenë Masaro dhe Barezi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›