Gjysmë shekulli këngë italiane
Këngët më të bukura italiane në vite, vijnë sot në mbrëmje, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë nga mjeshtri Domenico Severino. Është edicioni VII i Javës së Gjuhës Italiane në Botë dhe kultura e gjuha e këtij vendi nuk mund të kuptohen pa këngët e kanconetat e kënduara nga emra të mëdhenj të muzikës, të admiruar fshehurazi nga shqiptarët gjatë viteve të diktaturës.
Severino në “Këngë të bukura të autorëve të mëdhenj”, paraqet një antologji me sukseset e këngës italiane të 50 viteve të fundit(1950-2000), duke na sjellë këngë nga Adriano Celentano, Gianni Morandi, Lucio Dalla, Francesco De Gregori, Lucio Battisti, Gino Paoli, Roberto Vecchioni, Mina, Fred Buscaglione, Peppino Di Capri, Edoardo De Crescenzo, etj.
Kantautori Domenico Severino është jo vetëm autor i shumë këngëve dhe kolonave zanore në kinema dhe televizione, por ka marrë pjesë dhe ka bashkëpunuar për shumë emisione me rrjetet e mëdha televizive Rai e Mediaset si, "Domenica In", "Uno Mattina", "La vita in diretta", "Sarabanda", "Buona Domenica", etj. Ka realizuar turne në vende të ndryshme të botës, që nga Bejruti, Athina, Tajvani, Madridi, Brukseli, Tel Avivi, Stokholmi, Rabati, etj. I diplomuar në muzikë pranë Universitetit të Bolonjës, ai është President i Shoqatës Kulturore “A.M.S.” (Art, Muzikë dhe Spektakël) në Kalabri. Koncerti me këngët më të bukura italiane organizohet nga Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me TKOB-in.