Pas 3 vitesh, në të njëjtën pikë
Me shqiptimin kritik e të vrazhdë të ambasadorit amerikan në fytyrë të Kryeministrit Berisha, duket se, për një farë kohe, institucionet e pavarura mund të pretendojnë njëlloj qetësie në raportet e tyre me ekzekutivin. Derisa Kryeministri, në stilin e vet prej politikani, që sistematikisht bën sikur nuk kupton gjuhën e të huajve, d.m.th., që bën shpesh sikur keqkupton mesazhet e tyre, do të përfshihet në një ndërmarrje të re kundër pavarësisë së institucioneve.
Por, siç thoshte dje në një opinion z. Nazarko, ëndrra e Kryeministrit Berisha për të shtënë në dorë të gjitha institucionet e pavarura, në emër të mandatit politik të dhënë nga votimi popullor, mori një goditje të rëndë, ndoshta përfundimtare.
Në ditët e para të marrjes së pushtetit prej tij, kisha imagjinuar turfullimin e tij për shkak të pafuqisë për të komanduar tryezën e butonave. Raporti i tij me shtetin, me pushtetet e tij, mund të parafytyrohej si raport me tryezën e butonave, ku secilit prej tyre i përgjigjej një pushtet i caktuar.
Por, nëse dikur, si President në regjimin e gremisur me krizën e piramidave, ai komandonte gjithçka, sot tryeza e butonave nuk i përgjigjej. Tentonte të shtypte butonin e prokurorisë, nuk kishte reagim; atë të gjykatave, gjithashtu, atë të SHIK-ut, akoma më keq. Kontrollin e Lartë të Shtetit, asnjë shenjë. Presidentin? Më keq akoma.
Sot, pak më shumë se tre vjet nga ky parashikim, Berisha gjendet në të njëjtën pikë. Ka hequr vetëm prokurorin Sollaku, por situata për të është keqësuar dhe më shumë në raportin me prokurorinë. Nuk ka më asnjë alibi të qenësishme për ta sulmuar atë, megjithëse sizifian në arritjen e objektivave të veta, ai mund të tentojë të krijojë pretekste të tjerë me synimin për ta delegjitimuar prokurorinë në prag të zgjedhjeve.
Parë kështu, në këndvështrimin institucional, gjithë institucionet e pavarura prej këtij konflikti të fundit, rezultojnë dhe më të forta se më parë.
Prokuroria është ajo që forcohet më shumë, sa kohë që fiton njëlloj paprekshmërie në punën e vet. Dhe nga ky lajm vetëm mund të gëzohemi