E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mile: “Dinamo nuk po më jep shansin tim”

Sokol Paja
Në shtatë javë kampionat, sulmuesi Vangjel Mile ka luajtur vetëm 30 minuta nga 630 minuta lojë. Futbollisti i Dinamos Vangjel Mile nuk e ka duruar më stolin dhe ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me situatën e krijuar në klubin e tij Dinamo. Futbollisti është shprehur shumë i pakënaqur në lidhje me aktivizimet e tij në ekip, pasi ka luajtur shumë pak në këto shtatë javë kampionat. Ai është aktivizuar vetëm 30 minuta në shtatë takime. "Këtu po më hanë mundin dhe djersën time", është shprehur i revoltuar Mile. "Nuk e kuptoj se si një lojtar që grumbullohet me Shpresat, që është lojtar formacioni dhe bën paraqitje shumë të mira, si mundet që në ekipin e tij të qëndrojë në stol!", tha Mile. Futbollisti është një lojtar multifunksional, si në ekipin e Dinamos, dhe në ekipin e tij të Shpresave që grumbullohet që prej tre vitesh. Mile me ekipin shpresa ka bërë gjithmonë paraqitje shumë të mira ku kujtojmë golin në Shkodër përballë Ukrainës dhe paraqitjet shumë të mira në ekipin e tij Shpresa në ndeshjet që kombëtarja jonë e 21-vjecarëve zhvilloi përballë Italisë dhe Kroacisë. Në atë takim, Mile, përvecse ishte ndër më të mirët në fushë, u përshtat në dy role: gjatë pjesë së parë në mbrojtje dhe gjatë pjesës së dytë si sulmues i fshehur. "Unë kam shumë për të dhënë dhe deri tani me këtë aktivizimin tim aspak të mjaftueshëm nuk mund të them se s'kam c'të jap më për ekipin. Jam aktivizuar shumë pak, dhe besoj se e meritoj të luaj më shumë, pasi skuadra ka nevojë për lëvizje në sulm që është parë në ndeshjet e fundit se pika ku calon ekipi është pikërisht reparti i sulmit", ka përfunduar Vangjel Mile. Në linjë paralele është shprehur edhe trajneri i këtij ekipi para disa ditësh lidhur me situatën e zëvendësimeve dhe të lojtarëve të shumtë te Dinamo që ngrohin stolin. Canaj tha se: "Mua më gëzon fakti që një futbollist që vjen nga stoli arrin të shënojë dhe paraqitet sa më mirë për të më bindur për një vend në formacion. Kampionati është shumë i gjatë dhe besoj se të gjithëve do t'u krijohet mundësia për të luajtur, pasi ka dëmtime, largime, skualifikime dhe të gjithë do u jepet një shan, por për mua kryesorja është që ata që vijnë nga stoli të më bindin për një vend titullari, pasi në ekip askush nuk është i pazëvendësueshëm dhe të gjithë në bazë të asaj cfarë japin në fushën e lojës, meritojnë edhe formacionin", ka deklaruar trajneri Canaj. "Unë them se do të bëj të pamundurën që sapo të më jepet një shans do ta tregoj veten, por kjo mundësi po vonon dhe mua më duket e paarsyeshme që të vazhdoj të qëndroj në stol pasi kam akoma më shumë për të dhënë për ekipin, dhe këtë e kam treguar edhe në ndeshjet e tjera që, sa herë kam luajtur, asnjëherë nuk i kam zhgënjyer, madje kam sakrifikuar edhe në role jo të përshtatshme", ka përfunduar futbollisti i bluve të kryeqytetit Vangjel Mile. Dinamo aktualisht është në vendin e tretë të klasifikimit të Superligës dhe në javën e tetë të kampionati do të ketë një takim shumë të vështirë në Elbasan. Deri tani ekipi i bluve të kryeqytetit ka mbledhur 16 pikë në shtatë takime të luajtura.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›