E Diel, 1 Nëntor 2026

Mile Çami del në gjyq, 14 dëshmitarë për të provuar fajësinë

Autori i Lajmit: red.
Fatmir Emini, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Gjergji Halo, ka dalë për herë të parë përpara togave të zeza. Në seancën e djeshme është lexuar kërkesa për gjykim ku në sallë kanë qenë prezent të pandehurit dhe prokurori i çështjes. Mesditën e së mërkurës, nën masa shumë të rrepta sigurie, Fatmir Emini ka mbërritur me vonesë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, mësohet se Fatmir Emini mbahet i izoluar në një dhomë paraburgimi në Policinë e Vlorës, për shkak të hasmërive që ka. Qelia i është ndërtuar në njërën prej dhomave të paraburgimit për të miturit, pohuan burime të sigurta nga Gjykata e Fierit. Edhe pse seanca e ditës së djeshme ishte planifikuar që të zhvillohej në orën 12:00, ajo është zvarritur për shkak të mungesës së sallave të gjykimit, pasi nga pesë salla në këtë gjykatë, vetëm njëra është me kafaz hekuri. Fatmir Emini është mbajtur në fugonin burg që e ka sjellë nga Vlora. Seanca gjyqësore është e dyta që është zhvilluar dje, pasi një seancë më parë që është zhvilluar në datën 9 prill, nuk është paraqitur. Kryetare e trupit gjykues është Nafie Curri, ndërkohë që prokuror i çështjes është Shkëlqim Sina. Në këtë seancë Fatmir Emini do të njihej me akuzat e bëra nga Prokuroria për vrasjen e biznesmenit Gjergji Halo, ndërkohë që akuzohet për këtë vrasje edhe Bledar Yzeiri, i cili është i ndaluar në Belgjikë. Bledar Yzeiri është i mbrojtur nga dy avokatë, ndërkohë që për Fatmir Eminin ka qenë gjykata që ka vendosur avokat për mbrojtjen e tij. Në seancën e djeshme është dëgjuar vetëm kërkesa për gjykim ndërkohë që trupi gjykues e ka shtyrë seancën për në një datë tjetër. Nga burime prej organit të akuzës mësohet se për të vërtetuar vrasjen e biznesmenit Gjergji Halo gjatë seancave gjyqësore do të thirren për të dëshmuar 14 dëshmitarë.

Për të vërtetuar vrasjen e biznesmenit Gjergji Halo gjatë këtij procesi do të thirren 14 dëshmitarë

Ky lajm është publikuar: 23/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›