E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Kredi për krizën, jo pa marrëveshje me Qeverinë

Autori i Lajmit: red.
Fondi Monetar Ndërkombëtar është i gatshëm për të ndihmuar vendin me kredi të buta, por i kujton qeverisë se duhet një marrëveshje paraprake dhe se nuk ka asnjë mundësi tjetër, as nga burime të tjera financimi, pa lejekalimi nga ky institucion. Kështu është shprehur dje përfaqësuesja e FMN-së, Ann Margareth Ëestin, deklarata e së cilës vjen pas thirrjes së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani për ndihmë, pasi në vend ka gjasa të mungojë likujditeti. “Nëse qeveria do të trokiste në derën e FMN-së për një program ndihmë, ne jemi shumë të gatshëm të diskutojmë llojin e marrëveshjes. Zakonisht FMN-ja nuk financon drejtpërdrejtë buxhetin. Kreditë tona shkojnë për rritjen e rezervave valutore. Por, kjo është shumë e vlefshme, pasi jo vetëm financon deficitin korrent, por edhe u hap rrugë financimeve direkte për buxhetin nga donatorët e tjerë. Bashkimi Evropian, si dhe donatorët e tjerë do të financojnë buxhetin e Shqipërisë vetëm nëse vendi do të ketë një marrëveshje me FMN-në”, ka deklaruar përfaqësuesja e FMN-së, Ann Margareth Ëestin. Qeveria ende nuk e ka pranuar se vendi është në krizë, por FMN vëren simptoma të saj, të cilat do ta vinin në vështirësi buxhetin. “Ne po shikojmë me vëmendje situatën e buxhetit dhe po vëmë re se financimi i tij po shtrëngohet. Të ardhurat, qoftë tatimore dhe ato doganore janë me tendencë në rënie dhe më të ulëta se plani duke reflektuar krizën ekonomike, por edhe tkurrjen e tregtisë. Për Shqipërinë, ashtu si edhe vendet e tjera po bëhet gjithmonë e më e vështirë për të marrë hua, qoftë në tregun e brendshëm, qoftë në atë ndërkombëtar, për të financuar deficitin buxhetor”, ka sqaruar Ëestin. Ndryshe nga disa vende të tjera, FMN Shqipërisë i ka kërkuar të reduktojë shpenzimet, pasi do të cenohej stabiliteti financiar. Ëestin shpjegon arsyet e këtij qëndrimi në dukje të dyfishtë. “Ka vende që kanë hapësira fiskale dhe ne i kemi inkurajuar ato të rrisin shpenzimet. Këto janë vende me një nivel borxhi të qëndrueshëm, i cili edhe po të rritej nuk do cenonte stabilitetin e tyre financiar. Në Shqipëri, edhe pse borxhi ka ardhur në ulje të ndjeshme nga viti në vit, ne mendojmë se sërish niveli aktual prej rreth 55 për qind është shumë i lartë dhe i vështirë për t u financuar. Një vend si ju e ka shumë të vështirë të gjejë financime në tregun ndërkombëtar, sepse Shqipëria nuk mund të dalë në treg dhe të thotë blini eurobonot e mia. Ne e kuptojmë që është koha për të rritur shpenzimet, por problemi me ju është financimi i tyre. Pikërisht për këtë disa vende po marrin programe ndihmë nga Fondi Monetar”, ka nënvizuar Ëestin.
Ky lajm është publikuar: 23/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›