E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miliardat e shpenzimeve ushtarake

Bota po e sheh veten përditë e më të armatosur. Çdo vit shtetet e të gjithë botës shpenzojnë një shifër përtej 1.200 miliardë dollarëve për të mbajtur më këmbë forcat ushtarake dhe armatimet. Një e katërta e shifrës shpenzohet në blerjen e tankeve të reja, avionëve modernë gjithnjë e më të aftë për të shkatërruar e vrarë, si edhe arritjeve më të fundit teknologjike të shpikura për t‘u dhënë njerëzve mundësinë të masakrojnë njëri-tjetrin.

Me rënien e Perandorisë Sovjetike, gara botërore e armatimeve u ndal. "Studimet për prodhimin e armëve të reja - shpjegon një gjeneral i NATO-s - u ndërprenë". Por gjatë këtyre pak viteve të fundit kanë rinisur në shkallë të gjerë. Në mesin e shkurtit, Forca Ajrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës firmosi me kompaninë "Boeing" një kontratë për instalimin tek avionët gjuajtës një pajisje lazer në gjendje të shkatërrojë tërësisht avionët armiq.

Mbi teknologjinë lazer punon edhe kompania "Northrop Grumman", ndërkohë që drejtuesit e lartë të saj besojnë se teknologjia lazer do të nxjerrë nga skena raketat taktike. "Ky lloj armatimi është gati për t‘u aplikuar në luftime", shpjegon Mik Boen, zëvendëspresident i shoqërisë "Raytheon Missile Systems".

Shumë prej projekteve fshihen nga sekreti i skajshëm. Por programet e bërë publikë mjaftojnë për të lënë pa fjalë këdo. Flitet për armë me mikrovalë, armë me energji të drejtpërdrejtë në gjendje të shpërbëjnë tërësisht trupat e njerëzve. Rusia ka zhvilluar armë rermobarike, një përzierje eksplozivesh e karburantesh e realizuar falë manipulimit të materies në nivel atomik.

Nën këmbënguljen e Vladimir Putinit, industria ruse e mbrojtjes do të shpenzojë gjatë këtij viti 40 miliardë dollarë. Dhe duke qenë se Rusia pretendon të bëhet sërish aktore e dorës së parë në skenën ndërkombëtare, i ka hyrë një plani të gjerë për rinovimin e armatimit, i cili duhet të përfundojë brenda vitit 2020 dhe që përfshin thuajse të gjithë sektorët ushtarakë, në mënyrë të veçantë kur vjen fjala te forcat ajrore (në mënyrë të veçantë avionët Stealth, të padukshëm), te nëndetëset dhe tek armët e teknologjisë së fundit. Edhe Kina po i mëshon fort sektorit të teknologjisë moderne.

Në fillim të marsit bëri me dije se për këtë vit kishte vënë në dispozicion të industrisë së armatimit plot 58 miliardë dollarë, 18 për qind më shumë nga ç‘shpenzoi një vit më parë. "Gjithsesi - vëren një ushtarak i lartë i NATO-s - Rusia dhe Kina nuk janë ende në gjendje të konkurrojnë në këtë fushë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e vetmja fuqi globale. Teknologjia e tyre është 20 vite prapa dhe mund të luajnë rol vetëm në skenat politike dhe ushtarake rajonale".

Dhe në fakt India, e cila në të shkuarën i plotësonte arsenalet ushtarake me armatime të prodhimit sovjetik, sot gjendet me mjete që në të shumtën e rasteve mund të konsiderohen jashtë loje. Për këtë ka vendosur t‘i hedhë sytë nga tregu amerikan, ku do të shpenzojë 45 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme. Ndërkohë është e gatshme të paguajë menjëherë 10 miliardë dollarë për blerjen e 126 avionëve luftimi.

Në një botë të përgjunjur nga krizat ekonomike, sektori i armatimeve lulëzon dhe po sheh ditë përherë e më të bukura. Jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në Evropë. Shoqëritë e prodhimit të armatimeve në kontinentin e vjetër i shohin bilancet t‘u lulëzojnë gjatë këtyre viteve. Sektori i kërkimeve për arritje të reja teknologjike sjell edhe fitime anësore. Në të shkuarën - thotë administratori i shoqërisë "Vitrociset" - risitë teknologjike të realizuara për llogari të industrisë së armatimit kanë gjetur zbatim të gjerë në sektorin civil. Sot po ndodh e kundërta: kërkimet civile, veçanërisht në elektronikë, shfrytëzohen nga industria ushtarake.

Më xhepshpuarit mbeten amerikanët. Uashingtoni i kushton 4.7 për qind të produktit të brendshëm bruto sektorit të mbrojtjes. Evropa vetëm 1.2 për qind. Në vitin 2006, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzuan 141 miliardë për pajisje ushtarake, ndërsa 26 vendet evropiane të marra së bashku shpenzuan 39 miliardë. Një dallim kaq i fortë i vështirëson disi mundësitë e bashkëpunimit mes fuqive perëndimore.

Për të krijuar një ide më të saktë mbi atë çfarë shpenzojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës mjafton të mbahen parasysh aeroplanmbajtëset. Uashingtoni ka 12 të tilla dhe secila është si një fshat më vete, i përbërë nga pesëmijë banorë. E fundit e shtuar në listë është aeroplanmbajtësja "Regan", e gjatë sa tri fusha futbolli të marra së bashku. Patrullojnë të gjitha oqeanet, duke tërhequr pas vetes flota të tëra anijesh mbështetëse. Grupe luftimi në gjendje të sulmojnë në çdo kënd të globit.

Me daljen nga skena të Presidentit aktual, Xhorxh Bush, gjërat nuk do të ndryshojnë. Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të gëlltisin lumenj me dollarë, në rast se në Shtëpinë e Bardhë do të vendoset kandidati aktual Xhon Mek Kein. Por kështu do të ndodhë edhe në rast se këtë fat do ta ketë Hillari Klinton, e cila premton ta "zgjerojë e ta modernizojë sektorin ushtarak" apo Barak Obama, që ka ndër mend të "rekrutojë 65 mijë njerëz të rinj për të shtuar radhët e ushtrisë dhe të zgjerojë me 27 mijë trupa të rinj forcën e marinsave".

Deri tani konfliktet janë konsumuar në tokë, në dete e në qiej. Në një të ardhme shumë të afërt mund të zhvendosen në hapësirë. Kur më 21 shkurt të këtij viti amerikanët u detyruan të shkatërronin një satelit të vetin, që kish dalë jashtë kontrollit, Kina dhe Rusia protestuan, duke i akuzuar se e kishin kryer atë veprim me qëllime ekskluzivisht eksperimentale. Ose me fjalë më pak të bukura, për të parë nëse teknologjia e tyre funksiononte për këtë qëllim. Dhe praktikisht funksionoi për mrekulli. Në rast lufte, të shkatërrosh apo të verbosh satelitët armiq mund të ketë rëndësi jetike.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›