E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeni në Lindjen e Mesme: Paqja kërkon sakrifica

Zëvendëspresidenti amerikan, Dik Çeni, tha të dielën se arritja e një marrëveshjeje paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve kërkon lëshime të dhimbshme nga të dyja palët. Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, që u takua me Çenin në zyrat qendrore të Autoritetit Palestinez në qytetin e Bregut Perëndimor, Ramallah, tha se marrëveshja për zgjerimin e kolonive izraelite, pikat e kontrollit të ushtrisë dhe ofensivat ajrore po bllokojnë progresin drejt paqes. Çeni dhe Abbas u takuan menjëherë pasi lideri i fraksionit Fatah dhe rivali i tij i Hamasit nënshkruan një marrëveshje pajtimi të ndërmjetësuar nga Jemeni, marrëveshje kjo që do të rijetësojë bisedimet direkte. As Çeni dhe as Abbas nuk bënë deklarata publike në lidhje me këtë marrëveshje. Hamasi, që kundërshton përpjekjet e Presidentit Abbas për paqen, ka marrë kontrollin e Rripit të Gazës, nga Fatahu, pas luftimeve të qershorit të shkuar. Mbeten një sërë mosmarrëveshjesh mes dy fraksioneve në lidhje me të ardhmen e territorit palestinez me 1.5 milionë banorë, pavarësisht vullnetit të mirë për ribashkim. Duke folur para gazetarëve, Dik Çeni, tha se realizimi i vizionit të Presidentit amerikan Xhorxh Bush, për një shtet palestinez që jeton përkrah një Izraeli të sigurt, do të kërkonte përpjekje të jashtëzakonshme në tryezën e negociatave dhe lëshime të dhimbshme nga të dyja palët. "Kjo do të kërkojë gjithashtu edhe një vendosmëri të madhe për të mundur të gjithë ata që janë të angazhuar për dhunë dhe që refuzojnë të pranojnë të drejtën e palës tjetër për ekzistencë", tha Çeni në të parën vizitë të tij si zëvendëspresident në territoret palestineze. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore kanë thënë se nuk do të ketë asnjë kontakt me Hamasin, deri kur ai të njohë Izraelin, të heqë dorë nga dhuna dhe të pranojë marrëveshjet ekzistuese të paqes. "Ne përsërisim edhe kundërshtimin tonë ndaj sulmeve me raketa nga Rripi i Gazës drejt Izraelit", tha Presidenti palestinez, Abbas. "Ne besojmë se një paqe reale mund t‘i japë fund këtij konflikti". Në anën tjetër, Çeni tha se terrori dhe sulmet me raketa përtej kufirit, që grupet militante i cilësojnë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite, jo vetëm marrin jetë njerëzish të pafajshëm, por edhe vrasin shpresën dhe aspiratën e vetë palestinezëve. Më herët, në takimin me Presidentin izraelit, Shimon Perez, në Jerusalem, Çeni kishte deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bënin gjithçka që mundeshin për të vënë në lëvizje procesin e paqes. Çeni përfundoi një ditë bisedimesh me liderët palestinezë dhe izraelitë, duke marrë pjesë në një meshë pashkësh, në një kishë të vogël prej guri në konsullatën amerikane në Jerusalem.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›