Miliarderët e CSKA-së blejnë Salihin
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi arriti një paramarrëveshje me CSKA-në e Sofjes. Lajmi është bërë i ditur në faqen bullgare topsport.bg. Shkodrani, i cili sezonin e kaluar u aktivizua me skuadrën austriake SV Ried, ishte edhe legjionari më prodhimtar përsa i përket numrit të golave të shënuar, 12 gola në kampionat e 3 në Kupën UEFA. Sipas faqes bullgare, ish-sulmuesi i Vllaznisë e Tiranës, por edhe me një të kaluar të shkurtër në Greqi te Panionos, do të mbërrijë në kryeqytetin bullgar javën e ardhshme për të firmosur zyrtarisht edhe kontratën me klubin e tretë të huaj gjatë karrierës së 24-vjeçarit.
Salihi do të jetë futbollisti i tretë shqiptar që do të luajë sezonin e ardhshëm në Bullgari, pas mbrojtësit Klodian Semina (Belasica Petrich) dhe sulmuesit Enco Malindi (Slavia e Sofjes). Më parë në Bullgari kanë luajtur edhe Alban Bushi e Altin Haxhi.
Agolli- Edhe pse u përfol jo pak, Ansi Agolli nuk do të luajë për Tiranën në sezonin e ri 2008-2009. Mesfushori i majtë zgjati kontratën me klubin e tij finlandez VPS Vaasa.
Agolli pati edhe oferta nga disa klube të fuqishme nga vendi skandinav, si Tampere e Helsinki, por ish-lojtari i Luzernës në kampionatin zviceran preferoi më mirë një vend titullari te ekipi i tij aktual.
Pema -Sulmuesi i Dinamos, Eleandro Pema, mund të transferohet sezonin e ardhshëm në Turqi. Lajmin e bën të ditur vetë lojtari, i cili pohoi për “Sport Ekspres” se tre skuadra të njohura turke: Trabzonspor, Bursaspor dhe Gallatasaraj kanë disa kaseta me ndeshjet e ish-sulmuesit të Tiranës.
Sipas menaxheri të tij, Gëzim Mançe, janë dhe dy klube nga Arabia Saudite, të cilat kërkojnë shërbimet e ish-kapitenit të Shpresave.
Bakaj- Mesfushori i avancuar i Partizanit, Elis Bakaj, është shumë pranë kalimit te qipriotët e Ethnikos Achnas, një kundërshtar i dikurshëm i Partizanit në Intertoto. Presidenti Albert Xhani ka pasur kontakte me homologun e tij qipriot, i cili kërkon transferimin e mesfushorit të kombëtares në formë huazimi.
Bakaj, një nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar, më parë ka qëndruar për disa ditë të klubi grek PAS Janina. Nga të kuqtë pritet të largohet edhe portieri Shehi (në Vietnam), ndërsa në muajin shkurt u transferua për në Bullgari, Enco Malindi.
Shqipëri - Bullgari, më 19 nëntor
Shqipëria mund të zhvillojë një ndeshje miqësore me Bullgarinë më 19 nëntor, datë kjo e lirë nga FIFA. Dy federatat janë në bisedime prej disa ditësh për të organizuar ndeshjen.
Në dy takimet e fundit për eliminatoret e Euro 2008, Shqipëria e drejtuar nga ish-trajneri Oto Bariç barazoi 0-0 në Sofje dhe 1-1 në Tiranë, çka solli edhe moskualifikimin e Bullgarisë në Euro 2008, por edhe shkarkimin e Hristo Stojçkovit pas barazimit të parë. FSHF është duke punuar edhe për një miqësore, për datën e lirë të 20 gushtit, ku në bisedime është përfshirë Kroacia dhe Turqia. Më 5 shtator, Shqipëria do të luajë edhe ndeshjen e parë zyrtare për eliminatoret e Botërorit 2010 kundër Suedisë.
Testi i fundit miqësor i Shqipërisë së drejtuar nga holandezi Ari Han ishte ai me Poloninë (0-1), më 27 maj në Reutlingen të Gjermanisë.
Valon Behrami, titullar ndaj Çekisë
Valon Behrami ishte figura qendrore e fitores 2-0 të Zvicrës në testin me Sllovakinë, në të cilën mesfushori i Lacios shënoi edhe një gol, të dytin me fanellën kuqebardhë helvetike. Kosovari i me pasaportë zvicerane pritet ta fillojë ndeshjen e parë të Kampionatit Europian, Zvicër-Kroaci nga minuta e parë. Behrami është lojtari i dytë shqiptar që merr pjesë në finalet e një Europiani, së bashku edhe me mbrojtësin Ronald Gërçaliu, i cili mbron ngjyrat e Austrisë.
31 Maj 2008