E Diel, 1 Nëntor 2026

Besnik Hajdini zhduket më 1994-n, por zbulohet pasaporta e tij më 2004-n



Java e kaluar në “Njerëz të humbur” në Vizion Plus solli në vëmendje kryesore historinë e Aurora Latollarit. Vajza sapo kishte mbaruar 8-vjeçaren dhe bëhej gati për gjimnaz, Aurora njihet me Astrit Kalaverin. I ati i vajzës, Sotiri, nuk e kishte mbështetur asnjëherë këtë vendim të Aurorës. Astrit Kalaveri kishte vite që jetonte në Itali. Vetëm 5 ditë më pas, çifti i ri largohet me gomone në drejtim të Italisë dhe vendosen në Montragone të Napolit. Pas katër muajsh ata largohen në Frazinone, ku pas një qëndrimi jo shumë të gjatë shpërngulen përfundimisht për në Rivergaro të Piacenzës. Kontakti i adoleshentes me prindërit ishte i rregullt. Pak përpara se të humbiste kontaktet me familjen Aurora ishte ankuar te babai se bashkëshorti i saj po e trajtonte ashpër. Më datën 14 tetor 1997 Aurora flet për herë të fundit me babain e saj në telefon dhe i pohon se kishte ikur nga shtëpia duke përfituar nga mungesa e të shoqit. Tri ditë më vonë, Astrit Kalaveri merr në telefon vjehrrin e tij duke i pohuar faktin se Aurora ishte larguar nga shtëpia. Gjatë investigimeve u mor vesh se Astrit Kalaveri, ish-bashkëshorti i Aurorës, kishte gjetur vdekjen në tetor të vitit 1998 duke rënë pre e një atentati mes mafiozëve të bandave kriminale në Itali. Tri javë para se të shkëpuste kontaktet me familjen, Aurora Latollarit i ishte ndryshuar identiteti në Franceska Omeri, e datëlindjes 1973. Kërkimet në “Njerëz të humbur” vijuan pikërisht me identitetin e fundit që kishte mbajtur vajza korçare. Nga verifikimet paraprake në skedat e policisë ka figuruar se Aurora Latollari ka qenë me leje-qëndrim të rregullt në shtetin italian dhe se në vitin 1997 ajo ka depozituar një kallëzim penal për shfrytëzim, më pas është dërguar në një institucion rehabilitimi. Gjatë emisionit u morën informacione shpresëdhënëse për fatin e Aurorës. Pothuajse shumica ishin të përqendruara në zonën e Piacenzës, aty ku më parë kishte jetuar dhe humbur kontaktet. Vetëm pak ditë më përpara familja Latollari në Greqi kishte një gëzim familjar, martesën e motrës së vogël të Aurorës. Të përmalluar nga mosprania e saj ata kanë kujtuar Aurorën duke e mbajtur në qendër të tavolinës foton e saj e deri duke ngritur dolli që “fati ta sjellë sa më parë në shtëpi”. E trafikuar ose jo, historia e Aurorës ngjason me atë të shumë vajzave shqiptare, të cilat për vite të tëra gjatë tranzicionit në Shqipëri ranë pre e shfrytëzimit të pamëshirshëm nga individët apo grupet kriminale famëkeqe. Një familje e mbetur pa shtëpi, një fëmijë që largohet nga jeta dukë lënë pas jetimë, një bir i gjymtuar dhe një tjetër i humbur. Me fjalë të tjera kjo është historia e familjes së Adem Toskës nga Tirana. Në shtëpinë e tij mungon prej 4 vitesh djali më i madh, Ndriçimi. Marsi i vitit 2004 do të ndërpriste përfundimisht lidhjet mes Ndriçimit dhe familjes së tij. Në të gdhirë Ndriçimi ka marrë disa tesha në një çantë dore dhe është larguar nga shtëpia. Historia e Ndriçim Toskës u prezantua për dy javë radhazi në emisionin “Njerëz të humbur”, në valët e Vizion Plusit, me shpresën se informacionet do të ndihmonin në gjetjen e tij për hir të dy prindërve që tanimë qajnë hallet e shtëpisë në këto ditë të vështira për ta. Kjo nuk ishte hera e parë që Ndriçimi largohej nga shtëpia. Ai kishte emigruar edhe më parë, nga viti 2000 deri në vitin 2003. Largimi i tij i dytë dukej se po zgjaste shumë.... Kjo i detyroi prindërit ta kërkonin atë në “Njerëz të humbur”. Gjatë transmetimit direkt të shtunën mbrëma mbërritën një pafundësi informacionesh për rastin e Ndriçimit. Një telefonatë në fillim të emisionit do t’i shokonte të gjithë. Ishte zëri i Ndriçimit, i cili fliste nga Prishtina. Gjithçka ndodhi në pak minuta, aq sa nëna e tij, Ismetja, nuk mundi të përmbajë ngashërimin dhe lotët që i fshinte duke u dridhur. Pas një bisede të drejtpërdrejtë mes tij dhe prindërve, këta të fundit arritën të gjenin paqen e munguar prej katër vitesh.
Sonte në “Njerëz të humbur” do të ndiqni: Piaçenza dhe zona afër saj shndërrohen në pistat kryesore të vendndodhjes së mundshme të Aurora Latollarit. Cilat kanë qenë investigimet rreth saj? Ishte zhdukur që në vitin 1994, por shfaqen shenja jete të tij në vitin 2004. Cila është dilema që shoqëron misterin “Besnik Hajdini”!? Një djalë në kërkim të nënës së tij biologjike. Kujtim Allkurti, aktualisht prind, kërkon të dijë se kush e ka sjellë në jetë. Ftesa është sonte në “Njerëz të humbur”, në orën 21:00 në kanalin televiziv Vizion Plus.

31 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›