Bukuria mahnitëse e modeles, i merr mendjen Sarkozisë
Tashmë është më se e sigurt se Presidenti i ri francez i ka pikë të dobët modelet, sidomos ato bukuroshe. Pasi u martua me Karla Brunin, tani Sarkozi është kapur në befasi nga telekamerat e pranishme në "Elize" teksa shihte me ëmbëlsi dekoltenë e hapur dhe format e topmodeles izraelite, Bar Rafaeli. Kështu, në një pritje të zhvilluar në "Elize" për Presidentin e Izraelit, Simon Perez, Sarkozi është marrosur pas të fejuarës së Leonardo di Kaprios duke "injoruar" tërësisht bashkëshorten e tij të re. Gjithçka ndodhi në momentin kur Presidenti po priste të ftuarit në sallonet e pallatit presidencial. Kur modelja 21-vjeçare i kaloi pranë, Sarko nisi ta shihte me admirim duke harruar se në krah kishte gruan e tij po aq bukuroshe dhe elegante, ish-modelen Karla Bruni. Videoja që u regjistrua nga telekamerat e pranishme u hodh menjëherë në rrjet duke konfirmuar kështu se Sarkozi ka një dobësi të madhe për vajzat e sfilatave e sidomos për format e tyre të mrekullueshme. Me sa duket, Nikolas Sarkozi e kishte harruar shumë shpejt se kamerat dhe aparatet fotografike në "Elize" janë vazhdimisht të përqendruar mbi të. Pikërisht shikimet e tij kanë mbushur pjesën më të madhe të gazetave dhe televizioneve të vendit francez pas vizitës në "Elize" të Presidentit izraelit dhe i modeles Bar Rafaeli, të fejuarës së Leonardo di Kaprios. Ashtu siç tregon videoja e regjistruar, dekolteja e modeles bukuroshe ka tërhequr aq shumë vëmendjen e Presidentit francez saqë edhe shtypi francez nuk e ka kursyer kurrsesi fantazinë. Faqet e para të gazetave kryesore dhe televizioneve të vendit hapeshin me titujt: "Sarkozi ‘marroset‘ pas Bar Rafaelit", "Sarkozi humbet në dekoltenë e modeles", "Sarkozi i befasuar nga format impresionuese të modeles", "Sarkozi nuk reziston dot, Sarkozi në dekoltenë e Rafaelit. Për më tepër në asnjë rast gazetat nuk harrojnë të theksojnë se sa mirë bashkëshorti i ri arrin të bëjë të tilla gjëra nën sytë e bashkëshortes së re, Karla Bruni".
Izraelitja më e bukur
21-vjeçare, e bukur. I ka "zënë" vendin Gisele Bunchen dhe tani mund të martohet me aktorin Leonardo di Kaprio. Bar Rafaeli, është e dashura e re yllit hollivudian dhe sipas zërave të ndryshëm është dashuria e vërtetë e jetës së tij. Ylli i njohur i "Titanic", Leonardo di Caprio, kohët e fundit është parë shpesh në Izrael i shoqëruar nga një bukuri magjepsëse, e quajtur Bar Rafael, një vajzë e re izraelite në ngjitje të parezistueshme drejt "statusit" supermodelja e planetit. E njohur me Leon rreth 3 vjet më parë, duket se Bar do të jetë gruaja e ardhshme e aktorit amerikan. E në fakt asaj duket se nuk i mungon asgjë për ta lidhur gjithmonë pas vetes aktorin pas prishjes së fejesës së tij pesëvjeçare me një tjetër emër të madh në fushën e modës, brazilianen Gisele Bunchen. Thuhet se të dy janë njohur në vitin 2005, vetëm pak javë pas ndarjes së tij nga Gisele. I pangushëllueshmi, Leonardo ka filloi të niste me Rafalin një tjetër nga ato lidhjet interkontinentale, ku rolin kryesor pa dyshim që e luan aeroporti. Biznesi, klasi dhe hotelet janë të paevitueshme kur njerëz si ata kanë karriera që i çon nga një anë e hemisferës në tjetrën. Bar dhe Leonardo janë njohur përmes Danny Avikazer një izraelit i "jashtëzakonshëm" që jeton në Nju Jork, të cilit i ishte ngarkuar detyra për të organizuar një parti për nder të U2 në Las Vegas. Avikazer kishte ftuar aty si Leonardo di Kaprion ashtu edhe Rafaelin që erdhi në festë në shoqërinë e mikes dhe koleges së saj, Adi Neuman. Ishte pikërisht ajo nisja e një "joshjeje" me stil duke nisur që nga buqetat e përditshme shumë të mëdha të luleve, te çokollatat e deri tek oraret e rregullta për dhjetëra ditë. Vetëm një muaj më vonë shumë prej gazetave izraelite do të hapeshin me titullin e madh "Bar, dashuria e re e Leo di Kaprios". "Nëna ime dhe Leo janë të vetmet dashuri të jetës sime", rrëfente ajo. Në të vërtetë, që nga ajo periudhë ka kaluar shumë kohë dhe mesa duket çifti tani ka vendosur të vërë kurorë. Kështu, sipas britanikes, "Star Magazine", udhëtimi i fundit i çiftit në Tel Aviv është bërë pikërisht me qëllimin për ta njohur Leonardo di Kaprion me prindërit e modeles, meqë shpejt mendojnë të martohen. Madje, po sipas asaj që shkruhet aty, çifti ka organizuar edhe një festë fejese në fillim të marsit, duke e fshehur festën nga paparacët dhe duke u thënë se ishte ditëlindja e vëllait të Bar, Neil.
Por, bukuroshja izraelite nuk gëzon vetëm privilegjin që është e fejuara e një prej aktorëve dhe meshkujve më të bukur të Hollivudit, ajo është gjithashtu edhe një nga pak fotomodelet izraelite që kanë marrë një famë të tillë në botë. Kështu për shkak të bukurisë, profesionalizmit dhe elegancës në vitin 2000 dhe 2001 dhe më vonë u bë imazhi i shtëpisë "Renaur" dhe është shfaqur në fushatat publicitare të "Ralph Lauren", përveçse në kopertinat e revistave prestigjioze "Elle" dhe "GQ". Megjithatë, Bar arriti "kulmin" me punët dhe detyrat që i janë "ngarkuar" në këtë periudhë: tani është imazhi i linjës së të brendshmeve të firmës "Victoria‘s Secret" dhe ka pozuar për një shërbim "superhot" në "Sports Illustated", revistë amerikane që mbledh modelet më të mira ndërkombëtare. Bar është nga një familje me origjinë askhenazite (zonë e Evropës Lindore) dhe është rritur në një fermë në një fshat të Izraelit. Në vendin e saj është përgojuar dhe ka shkaktuar shumë polemika, pasi u martua për t‘i shpëtuar shërbimit ushtarak, gjë që për shumë u konsiderua e barabartë me një tradhti. Në të vërtetë në Izrael, të gjitha vajzat nga 18 deri në 20 vjeç duhet të kryejnë shërbimin ushtarak dhe bëjnë përjashtim vetëm rastet kur ato janë besimtare, të paafta fizikisht apo të martuara. Ndaj shtypi izraelit nuk ngurroi të shkruante me të mëdha se modelja ishte martuar me një burrë shumë herë më të madh në moshë se ajo, madje me një mik të familjes vetëm për t‘i shpëtuar detyrimit ushtarak. Pas kësaj ngjarjeje, Bar përfundoi në Amerikë ku "ushqeu" edhe pasionin e saj për aktorët. Me një trup perfekt dhe fytyrë engjëllore, ajo para lidhjes me Leon, kishte arritur të bënte për vete edhe yllin e "Baywatch" David Charvet. Modelja "i fitoi" sërish pikët në vendin e saj pas vizitës që i bëri me të fejuarin e saj, Presidentit izraelit. Tani shumë e konsiderojnë si një nga njerëzit më të rëndësishëm të Izraelit në botë.