E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gangu i tradhtuar

"Unë banoj atje", thotë një zotëri i moshuar duke treguar me gisht një pikë të padalluar në mes të ujit: "Kam parë në televizor të gjithë botën të mallëngjehet dhe të vihet në lëvizje për viktimat e cunamit. Askush nuk e lëvizi gishtin për ne". Po ta shohësh me vëmendje, liqeni i qetë i formuar nga diga, nuk ka më gjurmë të greminës së thellë me pluhur, siç ishte një vit më parë, një luginë me dhe të bardhë e të shkrifët, çimento, vegla pune dhe vinç që punonin mbi një kodër ku gjendje një tempull i vogël. Një tempulli vogël i Shivës, që askush nuk ka pasur guxim ta hedhë poshtë. Banorët e zonës së vjetër të Tehri-t janë spostuar në një qytet të ri, që është ndërtuar pak metra mbi kodër. Banorët e fshatrave të përmbytur janë "rehabilituar", pra kanë shkuar të jetojnë në rrethinat e Rishikeshit ose Dehradunit.

Diga e Tehrit në Utarankal, e cila është vënë në funksion në fund të vitit 2006, është diga e pestë më e madhe botës, me një lartësi 260 metra dhe një basen uji 40 kilometra kub. Ndërtimi i saj ka filluar në vitin 1978 dhe përfundoi pas shumë polemikash në 2006-ën, pasi qëllimi ishte furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm pjesën më të madhe të Indisë Veriore dhe kryeqytetin Delhi. Diga në fjalë nuk është e vetmja në Gang, por më e njohura. Mbi altarin e këtij "tempulli të së ardhmes" (përcaktimi i Nehrusë) është sakrifikuar qyteti antik i Tehrit, përmbytur së bashku me 40 fshatra. Ndërsa 72 fshatra të tjerë u përmbytën pjesërisht dhe ishte i nevojshëm ndërtimi i një rruge që lidh zonën e Garhalit, aty ku gjenden edhe burimet e Gangut, me pjesën tjetër të Indisë. Në muajin janar, banorët e fshatrave që jetojnë përreth rezervuarit kanë përhapur alarmin: toka po rrëshqet dhe shembjet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Në fakt, duket se nga shkurti i 2007-ës paqëndrueshmëria e terrenit është rritur ndjeshëm, siç theksojnë shumë teknikë, duke shtuar: "rritja e rrëshqitjeve është pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimit hidrogjeologjik të terrenit dhe ngritjes së nivelit të lagështirës së tokës për shkak të ngritjes së nivelit të ujërave në zonën e digës". Në fakt, diga është ndërtuar mbi pjesë sizmike të ndjeshme dhe mbi një terren të rrëshqitshëm. Në vitin 1991, një terren i gradës së shtatë e kishte shkatërruar zonën. Në 2003-in një rrëshqitje toke shkatërroi gjysmën e Utarkashit. Rrëshqitjet dhe shembjet janë normale gjatë gjithë vitit sa herë bie një shi i lehtë. Gjatë një stine me shira, banorët e fshatrave, veçanërisht ata që jetojnë pranë lumit, i kalojnë netët me valixhe gati, nga frika se mos ndoshta shembet mali ose rritet niveli i ujit falë digës së Manerit, e cila ndodhet më në veri të vendit dhe është më e vogël se diga e Tehrit. Ekspertët e instituteve të ndryshme e kanë theksuar shumë herë rrezikun, duke shtuar se paqëndrueshmëria e terrenit kërcënon edhe ekzistencën e digës, por kjo nuk ka shërbyer për asgjë. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për problem të thjeshtë: "Nëse Pakistanit do t‘i shkonte ndërmend të na bombardonte, nuk do të ishte e nevojshme të arrinte deri në Delhi. Thjesht do t‘i mjaftonte hapja e digës së Tehrit për të pasur një rezultat të ngjashëm", komenton një tjetër zyrtar i ushtrisë indiane. Nëse për një arsye të vetme diga do të shembej, në harkun kohor të pak orëve, Rishikeshi, Harduari dhe Delhi, do të përmbyseshin menjëherë. Rruga që lidh Tehrin me kufijtë e Garhalit është shumë e rëndësishme nga pikëpamja ushtarake dhe tepër e domosdoshme në rast lufte.

Në fakt, banorët e fshatrave përreth nuk kanë qenë kurrë dakord për ndërtimin e kësaj dige, pavarësisht se u gënjyen nga fakti se diga do t‘u sillte punë, elektricitet dhe mirëqenie. "Por nuk ndodhi kështu. Situata është më e rëndë se kurrë. Tashmë energjia elektrike ndërpritet për shumë orë në ditë dhe uji mungon edhe në ato zona ku kishte me bollëk", shprehen të pakënaqur njerëzit. Këto probleme hasen edhe në Dehli, madje një ndër problemet më të shpeshta është ndërprerja e energjisë elektrike e ku "Sonia Vihar Plant", një impiant shumë i madh për kontrollin e ujërave inauguruar në vitin 2002, është privatizuar dhe i është dhënë në drejtim Ondeo-Degremont. Në "Sonia Vihar Plant" vjen ujë nga Tehri, që në fakt nuk është i mjaftueshëm. Është i njëjti ujë që banorët e qytetit dhe vendet përgjatë Gangut shohin të pakësohet me shpejtësi dita-ditës.

"Prurjet e Gangut po zvogëlohen çdo ditë në mënyrë konstante, që prej dhjetë vitesh", pohon një profesor, më pas shton: "Ka të paktën tri kanale gjatë rrugës së lumit që devijojnë ujërat e tij për përdorime industriale dhe, pranë Aligarhit, për ftohjen e një kantieri bërthamor. Diga e Tehrit është vetëm qershia mbi tortë, që e ka shndërruar Gangun në një lloj kanali, ku niveli i tij mund të ngrihet dhe të ulet sipas qejfit". Në harkun kohor të tri ditëve, duke koinciduar me një festë fetare që parashikonte larjen në Gang të mijëra pelegrinëve, niveli i ujit u rrit si me magji rreth dhjetë centimetra. Problemi në fjalë është edhe fetar. Për ta kuptuar më thellë, duhet të jesh një pelegrin hinduist, një individ që vjen në Benares, për t‘u larë në lumin më të shenjtë të Indisë. Për mijëra e mijëra hindustë, nuk është gjë tjetër veçse Dea Ganga, e cila është dërguar për të pastruar tokën.

"Si shkencëtar e kuptoj që uji i lumit Gang nuk mund të çohet dëm, kemi nevojë për energji dhe ujë të bollshëm dhe problemi i vërtetë nuk është Tehri në vetvete, por planifikimi i rezervave, që në këtë qytet nuk ekzistojnë. Por si një besimtar, është e pamundur të mos ndiej keqardhje, se si është katandisur ajo që ne e quajmë nëna jonë, lumi Gang", thotë me keqardhje profesori.

Me sa duket e ardhmja nuk duket optimiste: në vitin 2012 India duhet t‘i japë nismën një projekti shumë të rëndësishëm në bashkëpunim me shtetet që kufizohet. Një sërë kanalesh dhe digash që do të lidhin me lumenjtë kryesorë, duke i ndryshuar kështu pamjen vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›