Miliona për papunësinë
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë ka lansuar programin “Kosova e Bukur”, i cili synon krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike. Mbi pesë milionë euro janë ndarë për realizimin e këtij projekti, i cili është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili ka për qëllim gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe mundësinë e rritjes ekonomike.
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, Kjartan Bjornson tha se qëllimi i këtij projekti është që të sigurojnë punësim dhe trajnim profesional për personat e papunë. “Në veçanti me këtë projekt presim të sigurojmë punë për të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara në mbarë Kosovën dhe presim që me mundësinë e rritjes ekonomike, ne do të mund të ndihmojmë në zbutjen e varfërisë në Kosovë”, tha Bjornson.
Për më tepër, ai ka shtuar se përveç gjenerimit të vendeve të punës, duhet të gjenerohen aktivitete ekonomike, duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës publike dhe financimin e projekteve urbane. Programi parasheh rregullimin e fasadave, zgjerimin e hapësirave të gjelbra dhe zonat rekreative që janë disa nga fushat ku mund të fitohen projektet.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, tha se për ministrinë që drejton ai, prioritet mbetet punësimi, por sipas tij, papunësia nuk mund të zvogëlohet për një kohë afatshkurtër. “Papunësia nuk mund të zgjidhet për një ose dy vjet, por kërkon vite dhe nuk mundet në mënyrë të përshpejtuar të zgjidhet ky problem. Por duhet përmes projekteve të ndryshme një nga një dhe kur t’i mbledhim të gjitha ato në aktivitetin tonë të përbashkët, atëherë do ta bëjmë këtë ndryshim që të punësojmë për çdo dit njerëz, gjë që është e mundur”, tha ministri Rashiq.
Programi i Komisionit Evropian “Kosova e Bukur” është një projekt i financuar nga BE-ja dhe e menaxhuar nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian. Projekti do të implementohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), në partneritet me Këshillin Danez për Refugjat (DRC). Programi do të zbatohet gjatë një periudhe prej 30 muajsh.
Afati për dorëzim të projekteve është 10 qershori, ndërsa pas kësaj date, është një periudhë prej katër javësh apo deri më 15 korrik, kur duhet të bëhet aplikimi për të fituar donacionin. Projekti duhet të jetë deri në një vlerë 100 mijë euro, ndërsa 30 për qind e të hollave të projektit duhet të jenë të dedikuara për punësim.
E, nga viti 2010, Bashkimi Evropian ka ndarë një projekt mbi 5 milionë euro për të adresuar varfërinë dhe papunësinë afatgjate nëpërmjet masave aktive të tregut të punës, duke promovuar mundësi për punë të lidhura me skemat publike të rigjenerimit, që rrisin cilësinë e jetës për të gjithë banorët e Kosovës.