E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret nënën aksidentalisht

Nga Express më 03 qershor 2011 në ora 12:01

Një grua 45-vjeçare ka gjetur vdekjen, si rezultat i plagëve të marra nga armë zjarri. Vrasja që besohet të jetë shkaktuar aksidentalisht nga i biri, 17-vjeçar, i viktimës, ka ndodhur në Mikushnicë të Skenderajt.

Dje rreth orës 14, Policia e Kosovës e ka pranuar informatën lidhur me një rast të plagosjes aksidentale me armë zjarri në një shtëpi private në këtë fshat.

Njësitë e para reaguese të policisë, kanë kontaktuar me mjekun kujdestar në spitalin Vushtrrisë, ku edhe ishte dërguar viktima, ndërsa pak qaste më vonë, policia ka mësuar se viktima kishte ndërruar jetë.

"Hetuesit policorë, së bashku me prokurorin publik, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes ndërsa dyshohet se djali i viktimës, një 17-vjeçar, aksidentalisht ka shkrepur armën, një revole, kurse plumbi i shkrepur ka goditur të ëmën e tij në pjesën e sipërme të këmbës", ka njoftuar Besim Hoti, zëdhënës rajonal i policisë.

Në vend ngjarje, policia ka gjetur dhe marrë si pjesë të provave materiale një armë, pistoletë të kalibrit 7.62mm, e cila besohet të ketë qenë e përfshirë në këtë rast.

Me autorizim të prokurorit publik, masa e ndalimit policor në bazë të ligjit për të mitur të Kosovës, është caktuar ndaj të dyshuarit të këtij rasti.

Rasti është kualifikuar si vrasje nën rrethana aksidentale, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë për obduksion.

Hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës, janë duke udhëhequr hetimet, për të sqaruar rrethanat e paraqitura në rast.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›