E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bust në kujtim të kolonel Zylyftarit

Berat Bashkia organizoi një ceremoni përkujtimore me rastin e dhjetëvjetorit të ndarjes nga jeta të Arben Zylyftarit

Qytetarët e Beratit kanë përkujtuar 10-vjetorin e rënies së kolonel Arben Zylyftarit, i cili u vra në krye të detyrës më 2 gusht të vitit 2000. Në nder të kolonel Zylyftarit, në qendër të qytetit të Beratit është vendosur busti i tij, ideuar nga skulptori Maksim Bushi. Bashkia e Beratit kishte organizuar edhe një ceremoni përkujtimore me rastin e dhjetëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Në vendin ku prehet koloneli janë vendosur tufa me lule nga të afërmit, bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

Ndërsa shokët me të cilët Zylyftari ka punuar ruajnë ende të freskëta kujtimet dhe sot pas dhjetë vjetësh ata thonë se nuk janë ndarë kurrë prej tij. “Lidhja më e fortë mes nesh ka qenë në punë, kur ai erdhi shef komisariati në Kolonjë, ndërsa unë isha deputet dhe ka zgjatur deri në momentet e fundit”, tregon një prej tyre. “Beni ka qenë një polic, por dhe një qytetar shumë i mirë dhe në Korçë ai nuk do të harrohet kurrë për atë që bëri në vitin 1997”, thotë një tjetër. Të pranishëm në ceremoninë përkujtimore ishin edhe prefekti i qarkut Bujar Hoxha, kreu i bashkisë Fadil Nasufi, ai i Policisë së Beratit Altin Qafa, si dhe miq e të afërm të tjerë, të cilët kujtojnë me respekt kolonel Arben Zylyftarin.

Dhjetë vjet më parë, Arbeni u nda përgjithmonë nga të dashurit e tij, duke iu prerë jeta në mes kur ishte në krye të detyrës. Familjarët ndiejnë dhimbje të madhe për humbjen e njeriut më të dashur. Drejtori i Policisë së Qarkut Berat, Altin Qato, ka pohuar, ndër të tjera, se “sot mbushen dhjetë vjet nga dita kur në qytetin e Shkodrës, në një përpjekje të armatosur me krimin humbi jetën drejtori i Policisë në Prefekturën e Shkodrës komisar i hekurt kolonel, Arben Zylyftari. Vrasja e kolonel Zylyftarit preku çdo zemër shqiptare, familja humbi njeriun e shtrenjtë, ne humbëm kolegun e shkëlqyer, por fituam një simbol të ri të fuqishëm në luftën tonë për një shoqëri pa krime. Ne krenohemi me këtë emër të madh, që i shërbeu Policisë së Shtetit në periudhat më problematike, e madje dha jetën në krye të detyrës”, vijoi Qato, i cili pohoi se emri dhe figura e tij do të nderohen përjetë dhe do të jetë një shembull frymëzimi për të gjithë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›