Mediu përgjon celularët e gazetarëve: U dërgon sms prokuroria
Avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kanë deklaruar se do të ngrenë një padi ndaj kryeprokurores, Ina Rama, për nxjerrje të sekretit hetimor. Në një konferencë për shtyp ata kanë deklaruar se një gjë e tillë është bërë për të diskredituar imazhin e ish-ministrit Mediu.
“Sot, më datë 23 mars 2009, deputeti Fatmir Mediu ka paraqitur në prokurorinë pranë gjykatës së rrethit gjyqësor, Tiranë kallëzimin për: Shtetasen Ina Haxhi Rama, me detyrë Prokurore e Përgjithshme e Republikës, pasi ajo në datën 25 prill 2008 në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme të Republikës, në bashkëpunim me grupin e prokurorëve që janë marrë me hetimin e çështjes penale numër 3 të vitit 2008, regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme, kanë kryer veprën penale të “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga neni 295/a, paragrafi i tretë i Kodit Penal dhe atë të shpërdorimit të detyrës. Për të realizuar qëllimin e saj kriminal dhe diskreditimin publik të z. Fatmir Mediu dhe për të krijuar një opinion të pavërtetë rreth tragjedisë së ndodhur në Gërdec, ajo gjatë deklarimit të kërkesës për heqje imunitetit ka publikuar në mënyrë të qëllimshme dhe të paligjshme përmbajtjen e akteve procedurale të dosjes hetimore përkatëse. Kryerja e veprimit të mësipërm vjen në kundërshtim me nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenin 6 pika 2 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, - thuhet në deklaratën e avokatëve të Mediut.
Megjithatë, dosja tashmë ndodhet në gjykatë dhe atë e kanë në dorë më shumë njerëz.
Precedenti
Para më shumë se tre muajsh, mediet qeveritare nisën një fushatë të tërë sulmesh ndaj kryeprokurores, Ina Rama, duke e akuzuar se po nxirrte të dhëna të hetimit.
Në fakt, bëhej fjalë për disa të dhëna që implikonin familjen dhe njerëzit e kryeministrit në aferën e hartimit të legjislacionit për Gërdecin.
Pas zërave të tillë dhe pas sulmit ndaj prokurorisë qëndronte një njeri, Ardian Visha.
Avokati i Mediut është ndër njerëzit më të akuzuar nga kryeministri, Sali Berisha, për lidhje kriminale me bandën “Hakmarrja për Drejtësi”.
Por në rastin në fjalë bëhej fjalë për një tjetër situatë. Mediut i interesonte të bënte shantazhe dhe të lëshonte në opinion publik ndonjë të dhënë se familja kryeministrore ishte e interesuar për aferën e Gërdecit. Kështu, Mediu godiste dy zogj, edhe mbante nën presion kryeministrin, Sali Berisha, edhe sulmonte Prokuroren e Përgjithshme, e cila nga ana e saj vazhdonte hetimet për të mbyllur një nga dosjet më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar.
Skandali
Por avokatët e ministrit Mediu deklaruan dje se ata do të ngrenë padi dhe ndaj prokurorit që merret me hetimin e Gërdecit, pasi ata deklarojnë se kanë prova se ai u ka dërguar sms gazetarëve në një panel debati me ish-ministrin Fatmir Mediu në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.
“Sot, më datë 23 mars 2009, deputeti Fatmir Mediu ka paraqitur në prokurorinë pranë gjykatës së rrethit gjyqësor, Tiranë kallëzimin për: Shtetasin Sokol Stojani me detyrë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kryetar i grupit të hetimit të çështjes penale të lidhur me ngjarjen e Gërdecit, pasi ai në këtë cilësi, në emisionin “Opinion” të televizionit “Klan” të datës 19 mars 2009, i ka sugjeruar nëpërmjet dhjetëra mesazheve elektronike sms panelit të gazetarëve pyetje për z. Fatmir Mediu, i ftuar në atë emision.
Prokurori Stojani nëpërmjet ndërhyrjes me anë të të tretëve, në një emision mediatik publik, për më tepër kur “puna” e tij hetimore ka përfunduar dhe dosja ka kaluar në gjykatë, ka synuar diskreditimin publik të z. Mediu për shkak të abuzimit keqdashës dhe jotransparent të të dhënave që ai disponon për shkak të funksionit të tij të deritanishëm. Veprimi i z. Stojani është jo vetëm i paligjshëm, por edhe i paprecedent në historinë e prokurorisë shqiptare.
Për sa kohë teksti i përçuar përmban sugjerime për pyetje publike ndan Fatmir Mediut, pa i hyrë subjektivisht fyerjeve të mundshme të përmbajtura në to, z. Mediu ka gjykuar që nëpërmjet realizimit të veprimit të paligjshëm të mësipërm, për të tepër në kushtet kur për një vit rresht prokuroria refuzoi të realizojë pyetjen e tij institucionale, prokurori Sokol Stojani ka konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës”, - thuhet në deklaratën e prokurorëve.
Edhe pse duket qesharake një gjë e tillë, në fakt ajo ngre dyshime të forta për mundësinë e përgjimit të gazetarëve.
Avokatët nuk kanë sqaruar se si e kanë marrë vesh ata për mesazhet private që iu janë dërguar gazetarëve, përveçse duke u përgjuar telefonat atyre. Edhe në rast të kësaj shkeljeje flagrante, të dhënat nuk u njihen atyre si provë.
Ndërkohë, vetë gazetarët shprehen se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Prokuroria ndërkaq duhet të nisë hetimin për këtë skandal përgjimi.
Avokatët
Në panelin ku zhvillohej konferenca për shtyp kanë qenë të pranishëm ish-ministri Mediu dhe kunati i tij, Ilirian Celibashi, i cili është kujdesur që nga fillimi i këtij skandali që të zhdukë gjurmët e implikimit të Mediut dhe të krijojë tymnaja të tilla. Njeriu i akuzuar nga Berisha se ka vjedhur haptas votat e së djathtës, tashmë përfaqëson qeverinë në këtë betejë ligjore.
Por ajo që është më e rëndë, është përfaqësimi i Mediut nga ana e Ardian Vishës, të cilin Berisha e pati akuzuar para disa vitesh se ishte ai që publikoi dëshminë e tij për vrasjen e Azem Hajdarit në revistën “Klan”, e cila ishte në pronësi të Aleksandër Frangajt. Kjo çoi në bojkot të Berishës ndaj medieve të tij.
Tashmë, situata ka ndryshuar dhe njeriu që akuzohej se kishte mbrojtur bandën “Hakmarrja për Drejtësi”, mbron njerëzit e Berishës.