Militanti zbulohet me arsenal armësh, të mbuluara me flamurin e PS
Arrestohet një militant i Edi Ramës, pasi iu gjet një arsenal i tërë armësh luftarake, të mbuluara me flamuj dhe simbole të PS. I arrestuari është me precedentë penalë, si dhe i provuar si pjesëmarrës në aktet e dhunës, gjatë protestave të PS-së
Një militant socialist u prangos në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Lezhë, me një arsenal lëndësh plasëse, mes tyre bomba, granat dore, tritol etj., të cilat ishin mbështjellë me qese logon e Partisë Socialist. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Lezhës, bënë të ditur se si rezultat i operacionit të koduar “Arsenali”, u arrestuar në flagrancë si posedues i eksplozivëve është Arben Simoni, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, person me precedent të mëparshëm penalë. “Arrestimi i tij u bë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në lagjen ‘Sheher’, qyteti Lezhë, ju gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh luftarake”, konfirmoi zyrtarisht policia e Lezhës.
Të njëjta burime saktësuan se Arben Simonit, i njohur si militant i PS, i janë sekuestruar 68 copë granata, ofensive dhe defensive, 86 kallëpe tritol me peshë 35 kg, 200 m linear fitil zjarrpërcjellës, një automatik model 56, një mitraloz i rëndë, një pushke 20-ëshe, tre krehra fishekë model 56, të mbushur me fishekë, një shirit me 100 copë fishekë dhe një arke me 1250 copë fishekë.
Policia tha zyrtarisht se materialet në ngarkim të Arben Simonit do t’i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për procedim të mëtejshëm.
Precedenti i mëparshëm penal i Simonit lidhet me ngjarjen e ndodhur në Tiranë më 12 maj, kur një drejtues automjeti është konfliktuar gjatë orëve të pasdites me një protestues të Partisë Socialiste duke u plagosur, ndërsa grupi i tyre marshonte drejt godinës së Kryeministrisë.
Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Zogu i I” në afërsi të stacionit të Trenit në Tiranë, ku Arben Simoni, 40 vjeç nga Lezha, është konfrontuar me Përparim Vladin, edhe ky 41 vjeç, nga Tirana.
Mësohet se ky konfrontim ka ndodhur në momentin, kur Simoni së bashku me një grup personash përkrahës të Partisë Socialiste, po përgatiteshin për t’u nisur gjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë këtyre momenteve, Përparim Vladi, ka qenë duke qarkulluar me automjetin e tij, tip Benz në Bulevardin “Zogu i I”, ku është goditur papritur me grushte e sende të forta nga Arben Simoni, duke e plagosur lehtë atë.
Aktualisht ky i fundit ndodhet në komisariatin e Policisë Nr. 3 në Tiranë, ndaj të cilit po kryen veprimet procedurale, ndërsa materialet do të t’i referohen prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”, parashikuar 89 i Kodit Penal.
Arsenali bllokuar
1 automatik model 56
1 mitraloz i rëndë
1 pushkë 20-she
68 copë granata, ofensive dhe defensive
86 kallëpe tritol me peshë 35 kg.
200 m linear fitil zjarrëpërcjellës
3 krehra fishekë model 56, të mbushur
1 shirit me 100 copë fishekë
1 arkë me 1250 copë fishekë